Një bashkëpunim i shërbimeve policore maqedonase dhe greke, çoi në sekuestrimin e 105 kilogram kokainë në Selanik. Në pranga ranë 10 persona, 7 shtetas të Greqisë dhe tre shtetas të Shqipërisë.
Katër persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë, janë privuar nga liria në Maqedoni.
Bëhet fjalë për persona të cilët si anëtarë të një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar kanë ndërmarrë një sërë veprimesh me qëllim sigurimin dhe transportimin e lëndës narkotike kokainë nga Ekuadori në portin e Selanikut me synimin për ta shpërndarë më pas kokainën në disa shtete.
Kokaina ka mbërritur në portin e Selanikut e fshehur në tre kontejnerë të ngarkuar me banane nga Ekuadori, të cilat janë porositur dhe paguar nga një person juridik nga Shkupi.
Pronari dhe drejtuesi i personit juridik është A.K. (70) nga Shkupi, i cili gjatë vitit 2022 e ka regjistruar personin juridik në marrëveshje me S.G. (58) nga Gjevgjelia, për ta përdorur për importimin e frutave nga Amerika e Jugut.
Pas mbërritjes në Selanik, kontejnerët janë marrë nga një mjet mallrash me targa të Gjevgjelisë, i drejtuar nga shtetasi maqedonas M.M. (30), i cili u punësua nga S.G.. Pasi M.M. mori përsipër dhe ngarkoi kontejnerin, me makinën e ngarkesave u drejtua për në një magazinë afër Selanikut.
Pas një kohe të shkurtër Shërbimi i Drogës nga Selaniku ka gjetur mjetin në magazinë dhe në të ka gjetur dhe sekuestruar 105 kilogramë kokainë.
M.M. është arratisur por pasi ka hyrë sot në territorin maqedonas përmes brezit të gjelbër të kufirit shtetëror midis Greqisë dhe Maqedonisë është kapur nga policia maqedonase.