Autoritetet maqedonase njoftuan se tre shqiptarë janë mes personave të arrestuar për ngarkesën me 105 kilogramë kokainë të fshehur në banane, e cila u bllokua nga policia greke në Selanik më 9 maj. Janë prangosur shtatë persona nga Greqia, tre nga Shqipëria dhe katër nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ngarkesa me kokainë, sipas autoriteteve policore të Maqedonisë së Veriut, është zbuluar si rezultat i shkëmbimit disa mujor të informacionit të policisë me Shërbimet për Luftën kundër Tregtisë së Drogës në Selanik.
Personat e ndaluar dyshohet se janë anëtarë të një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar. Ata e kanë siguruar ngarkesën me kokainë nga Ekuadori dhe kanë realizuar transportimin e saj deri në portin e Selanikut, me qëllim që më pas lënda narkotike të shpërndahej për shitje në disa shtete.