Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin. Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë u arrestua për shitblerje votash. Në sallën e gjyqit Fredi Beleri ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzën.
Ai ka thënë se ishte me të afërmit e tij dhe se lekët nuk i kishte për të blerë vota. “Nuk kam lidhje me akuzën, isha me të afërmit e mi. Lekët nuk i kisha për të blerë vota“, mësohet se ka thënë Fredi Beleri në sallën e gjyqit.
Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Kokaveshi mësohet se është dërguar në Tiranë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” pasi pretendimeve për probleme shëndetësore dhe pritet që seanca e masës së sigurisë të bëhet atje.
Në seancën gjyqësore ishte e pranishme edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi, ndërsa kreu PBDNJ, Vangjel Dule, nuk u lejua të ishte pjesë e procesit. Jashtë ambienteve të gjykatës, Dule e cilësoi arrestimin një vendim të paralajmëruar.
Ministria e Jashtme greke ka reaguar në lidhje me vendimin e gjykatës së Vlorës për të lënë në burg kandidatin për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Përmes një deklarate zyrtare Ministria e Jashtme greke bën me dije se nëse provat për arrestimin e Belerit nuk janë të pakundërshtueshme, atëherë kemi të bëjmë me një rast skandaloz.