Deputeti socialist Erion Braçe ka qenë një ndër qytetarët e parë që ka votuar në ambientet e Liceut në Tiranë, ku dha dhe një mesazh të shkurtër për të gjithë qytetarët, të cilët i ftoi që të lënë pas të shkuarën, duke iu referuar dyshes Meta-Berisha.
“Çfarë ka qenë e shkuar është e shkuar, dhe duhet të mbarojë njëherë e mirë sot”, u shpreh shkurtimisht Braçe.
Në këtë qendër votimi në Tiranë, procesi ka nisur normalisht, dhe gjithçka është gati për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre në këto zgjedhje lokale. Ka nisur zyrtarisht procesi zgjedhor në të gjithë vendin, ku qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e ardhshëm të vendit në 61 Bashki.
Në garë janë 144 kandidatë, ndërkohë që 23.700 të tjerë konkurrojnë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë. Zgjedhjet do të ndiqen nga afër, prej rreth 230 vëzhguesve ndërkombëtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it.
Në vendin tonë, zyrtarisht sipas KQZ-së janë 3 milionë e 650 qytetarë me të drejtë vote. 122 mijë e 545 të rinjë votojnë për herë të parë, ndërkohë që në të gjithë vendin do të jenë të hapura 5 mijë e 213 qëndra votimi.