Në Rrogozhinë fituesin e zgjedhjeve për kryetar bashkie e vendosi kutia e të dënuarve. Shkëlqim Hoxha, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e kryesoi garën gjatë gjithë kohës, ndonëse me diferencë të vogël. Deri në kutinë e fundit, ku rezultati u përmbys në favor të Edison Memollës i Partisë Socialiste.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, në këtë kuti rezultonin që kishin votuar 104 të dënuar në total. Nga këto 92 vota shkuan për kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe vetëm 12 vota shkuan për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Kjo fitore kaq e ngushtë, sipas Memollës, është një mesazh që ai e ka lexuar shumë mirë. “Shumë faleminderit. Pavarësisht se fituam, realisht mesazhin e kemi marrë dhe është një mesazh që duhet të ulim kokën dhe të punojmë më fort. Pavarësisht atyre që nuk na votuan, pas 4 vjetësh do kemi zgjedhje të reja dhe do tregojmë pas 4 vjetësh që i shërbejmë të gjithë komunitetit të Rrogozhinës pavarësisht rezultatit”, tha Memolla.