-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Veriu i Shqipërisë, “Ramë tradhtari” dhe “sovranistët”

Kryesoret

Humbja e Foltores në Veriun e Shqipërisë ishte kronikë e paralajmëruar! Dyshohej në enigmën e Shkodrës, që, në fund të fundit nuk ishte befasi e pa zakontë!

Kishte një dallim të madh mes linjës së ndjekur nga shumica qeverisëse dhe linjës së ndjekur nga Foltorja. Këto bënë edhe ndryshimin. Nga 247 qendra votimi ne Shkoder, Bardh Spahia ka fituar ne vetem 18 qendra votimi, dmth. as ne 8 për qind  të tyre.

Thirrja kryesore e opozitës në zgjedhjet vendore, në të gjitha qendrat veriore ishte të mos e votojnë Edi Ramën, pasi ky i fundit, nuk e do Veriun e Shqipërisë, e përçmon, ashtu si baballarët e tij, e diskriminon, për më tepër, qeverisja e tanishme është po aq antikombëtare, sa ajo e Serbisë, dhe se, Rama dhe Enver Hoxha ishin armiqtë më të egër të shqiptarëve të Veriut.

Ta lëmë mënajnë se cili nga liderët e shekullit të shkuar dhe të këtij shekulli i kanë bërë më dëm shtetit shqiptar dhe e kanë braktisur e tradhtuar kombin, sa herë u është dashur.

Ta lëmë mënjanë përse figura të caktuara të rezistencës dhe aspirimit për lirinë e Kosovës janë shpallur armiq të kombit dhe, veçanërisht përse në një kohë të caktuar, kur në Kosovë ishin përgatitjet për ndryshimin epokal konceptual dhe çlirimtar.

Koha është dëshmues i pa mëshirshëm dhe historia nuk është ngjizur ende sa duhet.

Të kthehemi në temën e mësipërme.

Thirrjet e Berishës nuk “ndezën” në Veriun e Shqipërisë. Në fakt, nuk kanë ndezur as më parë, pavarësisht përpjekjeve të ashpra për të bërë ndeshjen mes dy pjesëve të kombit, deri me armë, si ka ndodhur në vitin famëzi 1997.

Pjesa që ka besuar mashtrimin e madh ka qenë gjithnjë më e pakta e popullsisë së Shqipërisë, dhe, po ashtu, ajo që nuk ka besuar dhe nuk ka ndjekur një trasim të tillë, ka qenë më e shumta, më e arsyeshmja dhe më e lidhur me kombin.

Megjithatë dëmet e një politike të tillë, thellësisht kundër kombit, kanë qenë me pasoja të rënda, për të gjithë vendin. Varret e hapura në vitin 1997 dhe deri më sot, pikërisht nga rënia e shtetit dhe politika e kundërvënies së një pjese të popullsisë ndaj pjesës tjetër, kanë marrë më shumë jetë se sa është menduar. Askush nuk e di me saktësi sa mijë vetë u vranë nga çmenduria e pushtetit që donte të burgoste shtetin. Mijëra.

Ndoshta është e pabesueshme për një gjeneratë të re, e cila nuk ka qenë pjesë e jetës politike 20 apo 30 vite më parë, nëse mëson se ky refren ka tri dekada që përsëritet nga lideri i Foltores, dhe, të gjithë këtë e bën me pasion të veçantë, entuziast si kurrë herë tjetër, i palëkundur në qëndrimin e tij, dhe, në të njëjtën kohë kaq egërsisht.

Linja politike e ndjekur nga ai dhe pasues rreth tij, për Veriun që nuk duhet të votojë Edi Ramën, si armik i kësaj pjese të popullsisë, nuk është pasuar me thënien që as Jugu nuk duhet të votojë të majtën, pasi, një qeveri, ose është antikombëtare për të gjithë Shqipërinë, ose nuk është për asnjë.

Dredhia është njësimi i qeverisjes së majtë me jugun e Shqipërisë, dhe, sipas linjës që është ndjekur nga shteti serb që pas Kongresit të Lushnjes, shpallur publikisht edhe në strukturat e porsa dala të shtetit shqiptar, ka qenë se jugu nuk e do veriun dhe se veriu është ndryshe nga jugu.

Kjo linjë është edhe tani, e, megjithëse e lansuar nga kreu i Foltores, është po aq e dëmshme sa edhe një shekull më parë. Në jug, asnjëherë, drejtuesi i opozitës nuk ka thënë haptas se ju, jugorët, apo drejtuesi i qeverisë nuk e do veriun. Sepse nuk ka qenë asnjëherë ky qëllimi i tij.

Nuk ka qenë, pasi nuk është naiv të mos i dijë dy të vërteta të mëdha: se një linjë e tillë nuk gjen hapësirë, dhe se, e dyta, jugu ka qenë, po aq sa veriu qendër e mendimit kombëtar dhe e linjës kombëtare të qendresës. Ndarja mes “jugut që nuk e do veriun, përmes qeverisë së të majtës”, dhe “veriut që është më atdhetar”, nuk është e re, ajo ka pasur ringjalljen e saj pas vitit 1990, kur zërat e zinj zunë të kishin hapësirën e tyre mediale dhe bënë vend në politikë.

Megjithatë, zgjedhjet e fundit, dëshmuan se në një masë të madhe, më të ndjeshme se kurrë më parë, linja e ndjekur nga Foltorja, për hasmërinë mes Veriut dhe Jugut, mes bashkive të djathta, sipas Berishës, dhe qeverisë së majtë, të Edi Ramës, nuk zuri vend. Mori mohimin dhe largesën më të madhe. Diferencimin nga ndarja. Largimin nga mëria.

Bashki, të cilat  Foltorja i mendonte si pararojë të luftës politike dhe përleshjeve të ardhshme, Shkodra, Tropoja, Kukësi, Dibra, Mati, Klosi, Bulqiza, Lezha, Kurbini, ku janë më shumë se 85 për qind e popullsisë së Veriut të vendit, besuan dhe përkrahën linjën e përbashkësisë, jo të veçimit; ata dhanë mësimin se politika e ndarjes është e tejkaluar prej kohësh dhe se ripërsëritja e saj , edhe sot e kësaj dite, është mjerim i politikës dhe rigjenerim i së keqes.

Përse nuk besuan?

Në politikë, më shumë se fjala, mëson shembulli. Cili ishte shembulli që sillte Foltorja në veriun e Shqipërisë me tezën e saj se nacionalizmi ishte vetëm në Veri?

Kush ishin këto “sovranistë”,  “nacionalistë”, që dolën nga terri pas akshamit? Sikur askush tjetër të mos dëshmonte, vetë ajo që ndodh në selinë e opozitës, ku një pjesë sjell fakte ndaj pjesës tjetër për lidhjen me botën e errët të politikës dhe shërbimeve sekrete ruse, hedh poshtë çdo shembull tjetër.

Sikur asgjë tjetër të mos dëshmonte, vetë fakti i pagesave nga kompani guackë, në adresën bankare të gruas të gjysmës së Foltores ishte një shembull tjetër. Sikur asnjëra nga këto të mos mjaftonte, ndërlidhja mes Foltores dhe një figure thellësisht antishqiptare, që kërkon helenizimin e një pjese të rëndësishme të Jugut të Shqipërisë, Beleri, hedh në erë çdo dëshmi tjetër.

Faji politik dhe kombëtar i dyshes Meta-Berisha, përmes dhjakut Dule, për të ndezur sherrin mes shqiptarëve autoktonë, dhe atyre të greqizuar, në një flakë të re është e vërteta e asaj që ndodh në pas skenën e politikës së Foltores dhe dëshmi se çfarë përkushtimi kanë ndaj vendit.

Banorët e Veriut të Shqipërisë e dinë krejt mirë se vendi i tyre nuk janë vetëm Bjeshkët, ku synon t’i mbyllë Foltorja, nuk janë vetëm vallet e këngët e tyre, por secili cep i vendit. Ata e konsiderojnë Himarën njëlloj si Dragobinë, malet e Vetëtimës dhe të Çikës njëjtë si Bjeshkët e Namuna; lumin e Valbonës të barabartë me Vjosën.

Ndaj e mohuan.

Tani Foltorja paraqet një pamje të re të dështimit: vjedhjeve masive, pagesave të dhëna nga qeveria për të fituar zgjedhjet. Kaq bukëshkalë i dinë këto njerëz të politikës banorët e vendit, ku deshën të bëjnë politikë me ndjenjat ndaj kombit? Si mundet që dhjetëra e dhjetëra mijëra shqiptarë, që mbështetën qeverinë e së majtës në Veriun e Shqipërisë të jenë kaq bukë shkelës, kaq pa dinjitet, të mjerë sa të përkulen për një grusht euro?

Përse ndryshoi Shkodra? Përse ndryshoi Tropoja? Kukësi? I gjithë qarku i Dibrës? Kurbini? Lezha? Përse kryetari i porsazgjedhur i Bashkisë së Mirditës, përfaqësues i Foltores, ende pa marrë pushtetin, ftoi shefin e qeverisë për një kafe, të flasin si njerëz të mirë dhe drejtues të mirë? Nëse do të kishte ndjekur linjën e Berishës, sipas të cilit Edi Rama është tradhtar i kombit, i gjithë Veriu do të ishte ngritur në këmbë, ta përzinte nga vendi, jo ta priste me lule dhe këngë.

Sepse, nuk mund të jetë gjysma ose shumica e një rrethi pasuese e njeriut të pabesë, ndërsa pjesa tjetër atdhetare!!! Sepse një kryetar i përgjegjshëm bashkie, që e di se e kanë votuar njerëzit dhe nuk e ka emëruar qeveria, e di se punët e mira në dobi të komunitetit nuk bëhen veçmas, i mbyllur në shpellë, i tjetërsuar, por së bashku, me të gjitha strukturat e shtetit!

E kam ndjekur për shumë ditë fushatën e Benet Becit në Shkodër. I heq kapelen. Edhe Bardh Spahisë deri në çastin e humbjes i heq kapelen. E di se tjetërsimi i tij u bë me urdhër nga lart, sepse Foltorja ka 32 vite që nuk e do shtetin, nuk i do shqiptarët të merren vesh, nuk e do arsyen dhe mirëdashjen.

Banorët e Veriut e refuzuan Foltoren si kurrë më parë, jo se u blenë, jo se u shitën, por sepse e dinë se humnera të tërheq pas vetes dhe askush nuk e do humnerën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit