Është një person i afërt i njërit nga dy të zhdukurit e Sarandës, i cili ka publikuar detaje tronditëse që lidhen me rrëmbimin e Fatmir Sulovarit dhe të Leonard Thodhorit.
Teksa ende nuk dihet asgjë për fatin e dy 46-vjeçarëve në Sarandë, të cilët rezultojnë të zhdukur, disa pamje hedhin dritë mbi ngjarjen. Altin Gjini, miku i Fatmir Sulovarit, një prej dy personave të zhdukur në Sarandë, zbuloi pamjet e mjetit të fundit ku është parë miku i tij.
Duket se në fakt miqtë dhe familjarët e dy të zhdukurve po bëjnë punën e Policisë, të Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese që duhet të merren me zbulimin e fakteve që të çojnë në të paktën gjetjen e trupave, nëse dy djemtë rezultojnë të jenë vrarë.
Ata pak ditë më parë erdhën edhe në Policinë e Shtetit për t’i kërkuar ndihmë kryepolicit të vendit, por sërish asnjë e dhënë konkrete nuk doli nga kërkimet e Policisë së Shtetit.
Po ashtu, në ndihmë të kërkimeve të Policisë sonë u kërkuan edhe qenë për të bërë mbulimin e gjithë territorit, në të cilin dyshohet se mund të jenë zhdukur dy djemtë, por sërish asnjë gjurmë nuk u identifikua.
Së fundmi, kanë dalë në pah pamjet e një pike karburanti që gjendet në Qafë Gjashtë. Në atë kamera janë fiksuar tri makina, dy furgonë dhe një fuoristradë që lëvizin njëra pas tjetrës, ku dyshohet se në sediljen e parë të furgonit të parë ka qenë i ulur vetë Fatmir Sulollari, ndërkohë në dy mjetet e tjera nuk janë shquar personat.
39 minutat misterioze, çfarë nuk di policia për fatin e “Koçoles” dhe Sulovarit?
Pak më shumë se një orë më vonë, i njëjti furgon është fiksuar sërish nga e njëjta kamera, por me targa të tjera dhe Fatmiri nuk ka qenë më në sediljen e parë.