Përdorte lavazhin që kishte marrë me qira, për të kamufluar veprimtarinë kriminale që kryente duke shpërndarë kokainë dhe kanabis, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari. Në pranga dhe një shtetas tjetër që punonte në këtë lavazh.
Procedohet në gjendje të lirë pronari i lavazhit, pasi gjatë operacionit iu gjet një pushkë sportive. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim, doza kokaine, targa automjetesh shqiptare dhe të huaja që dyshohet se 32-vjeçari i përdorte për të kryer veprimtarinë kriminale, duke i vënë në mjete të ndryshme.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
- H., 32 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin;
- P., 39 vjeç, banues në Burrel, punëtor në këtë lavazh.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. N., banues në Burrel, pronari i lavazhit. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit L. H. dhe kontrollit në ambientet e lavazhit që ai kishte marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim dhe doza kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 10 targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, që dyshohet se shtetasi L. H. i përdorte për automjete të ndryshme, me qëllim që të kamuflonte veprimtarinë kriminale, fishekë për armë gjahu, si dhe një pushkë sportive që i përkiste pronarit të lavazhit, shtetasit Y. N.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit J. P., punëtor në lavazh, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë në doza. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.