Kreu i ushtrisë private ruse ‘Wagner’ njoftoi se ky grup ka humbur më shumë se 20,000 luftëtarë në betejën e përgjakshme 15 mujore, për të marrë kontrollin e qytetit të Bakhmutit.
Njëzet për qind e tyre janë nga kontigjenti prej 50,000 të burgosurish, që Wagner i rekrutoi për të luftuar në qytetin lindor të Ukrainës.
Kjo shifër është tërësisht në kontrast me pretendimet e Moskës, që thotë se ka humbur pak më shumë se 6,000 trupa në luftë. Shifra është po ashtu më e lartë, se humbjet e Rusisë gjatë luftës10 vjeçare, 1979-89 në Afganistan, që sipas Moskës ishte 15,000.
Nga ana tjetër Ukraina nuk e ka bërë publike numrin e ushtarëve që ka humbur që nga fillimi i agresionit rus, në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë të mërkurën se komentet e zotit Prigozhin ishin në përputhje me vlerësimet e tyre se numri i të vrarëve në radhët e trupave ruse është rritur. Shtëpia e Bardhë vlerësoi këtë muaj se nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat ruse kishin pësuar 100,000 të vrarë e të plagosur. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha në atë kohë, se rreth gjysma e 20 mijë të vrarëve, ishin forca të grupit ‘Wagner’.
Analistët besojnë se shumë nga të vrarët në luftën nëntë-mujore për Bakhmutin, ishin të dënuar rusë të cilët nuk kishin përvojë ushtarake.
Zoti Prigozhin, vetë një ish i dënuar, i ka akuzuar shpesh zyrtarët ushtarakë rusë se nuk i kanë furnizuar trupat e tij me municione të mjaftueshme. Ai ka vënë në pikëpyetje gjithashtu taktikat, përkushtimin dhe aftësitë e tyre drejtuese si dhe ka thënë se nuk i kanë vlerësuar mjaftueshëm forcat e tij, për sukseset e shënuara në fushëbetejë./VOA
Artikulli i plotë këtu.