Edi Rama është penduar për faktin që prokurorët dhe gjyqtarët të marrin pagë më të madhe se Presidenti apo ministri i Drejtësisë. Megjithatë, më tej, kryeministri tha se ky gabim është bërë dhe nuk mund të zhbëhet. “Kemi bërë një lajthitje me sistemin e drejtësisë. Nuk mund të kemi prokurorë që paguhen shumë më shumë se Presidenti. Apo gjykatës që paguhen më shumë se ministri i Drejtësisë” tha ai.
Pas akuzave dhe batutave, deputetët e opozitës i sfidoi për rritjen e pagave. “Ju duhet të ikni për pambuk nëse ne duhet të kemi një skemë politike sikur e meritojnë shqiptarët. Sepse ju e keni treguar se nuk e bëni dot.
Urdhëroni hajdeni, që të vendosim pagën minimale për deputetët dhe ministrat. Pozicioni im është që pagat duhet të jenë sikur e ka përcaktuar piramida. Në rajon është po kështu. Në rajon nuk kam parë që pagat e deputetëve të jenë sa të mësuesve apo mjekëve. Apo në Europë. Askund” tha Rama.
Vetë, tha se nuk e voton pikën për rritjen e pagave për ministrat dhe deputetët. “Unë nuk e votoj këtë pikë. Për mua, ligji votohet sot, por duhet të futet në fuqi deri kur të bëhet rritja deri në fund për të gjithë, kur paga mesatare të jetë 900 Euro, atëherë për deputetët dhe ministrat paga duhet të futet në fuqi, vetëm kur të jetë rritur për të gjithë. Përpara, është e pamoralshme” tha ai.