Sotiraq Filo e bën “sefte” mandatin e tretë. Sapo fitoi zgjedhjet në 14 Maj për të drejtuar edhe për katër vite bashkinë, Filo që në Korçë e njohin si “Raqka” ka hapur një procedurë prokurimi ndër më të lartat.
Jo pak, por 3.6 milionë euro pa TVSH për të larë dhe pastruar rrugët e qytetit dhe disa fshatrave. Në dosjen e tenderit thuhet se fondi limit është 400.041.205 lekë, pa TVSH ose 3.628.492 Euro.
Shuma që do të paguajnë taksapaguesit e Korçës duke llogaritur edhe TVSH-në shkon mbi 4 milionë euro. Firma fatlume që do të fitojë tenderin do të duhet që për 36 muaj të pastrojë dhe lajë rrugët.
Filo që ka firmosur tenderin thotë se tashmë në Korçë do të bëhet një larje speciale e rrugëve. Kështu thuhet të paktën në dokumente, të cilat “5Pyetjet.al” i publikon për lexuesit.
Përveç mirëmbajtjes natë dhe ditë, sikur shkruhet, flitet edhe për transportin e mbeturinave. Tenderi mbyllet në 26 qershor, gjithmonë nëse gjërat nuk i janë lënë rastësisë për një “gosti” kaq të madhe.