Një turist britanik 26-vjeç ndërroi jetë tragjikisht dje në Rodos të Greqisë, pasi ishte duke u larë në det. I riu vdiq përpara syve të të dashurës, e cila i kërkoi që të dilte nga uji në momentin që filloi shiu dhe rrufetë.
“Dil, dil jashtë” ishin thirret e të dashurës për britanikun, sipas mediave greke, por 26-vjeçari vijoi notin i qetë edhe për pak sekonda. Ajo mësohet se ka regjistruar me celular momentin kur rrufeja goditi të dashurin e saj.
Një dëshmitar tregoi për mediat çastin kur u fut për të nxjerrë turistin nga deti. “Papritmas dëgjoj vajzën duke bërtitur për ndihmë. Hyra në ujë, e nxora jashtë, i dhashë ndihmën e parë. Ai po përpiqej të merrte frymë, mendova se do të shërohej. Vajza po thërriste emrin e tij, papritur sytë e tij u mbyllën”, shtoi ai.