Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e së hënës ka arrestuar disa serbë të cilët dyshohet se janë përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të vendit.
“Prishtinë 29.05.2023 – 18:30. Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj të komunitetit serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.
Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtejme, nga njësitet relevante policore.
Rasti është iniciuar si “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepër penale dhe huliganizëm”.
Më 29 maj janë arrestuar pesë të dyshuar për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Komunën e Zveçanit.
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë ndërhynë në Zveçan dhe gjatë përleshjeve u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues.
Ndryshe që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.