Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi të mërkurën se i ka sekuestruar dy anije, duke i akuzuar ato se kishin kryer “shkelje” gjatë një përpjekjeje të dyshuar “për t’u larguar fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit.
Sipas IRGC-së, anijet e kapura janë MSC Francesca, të cilën e përshkroi si anije në pronësi të Izraelit, dhe anija Epaminodes.
IRGC-ja shtoi se ato u ndaluan sepse synonin të largoheshin “pa leje” duke i manipuluar sistemet e ndihmës së navigimit dhe duke rrezikuar sigurinë detare në përpjekje për të dalë “fshehurazi” nga ngushtica.
Marina e IRGC-së bëri të ditur se anijet janë dërguar në ujërat territoriale të Iranit për inspektim të ngarkesës dhe dokumentacionit të tyre.
Ndërkohë, paraprakisht forcat e armatosura të Iranit thanë se kishin sulmuar dhe çaktivizuar tri anije mallrash pranë bregdetit të vendit, sipas mediave shtetërore.
IRGC-ja e kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit për anije dhe cisterna nafte qysh më 28 shkurt, ditën kur kishte nisur operacioni i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
Ajo e rihapi përkohësisht rrugën ujore për një ditë pas fillimit të armëpushimit më 8 prill, por e mbylli sërish pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit dështuan dhe filloi një bllokadë detare amerikane ndaj porteve iraniane.
Kapja e anijeve nga Irani vjen një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën vonë se do ta zgjaste njëanshëm armëpushimin me Iranin, por shtoi se bllokada e porteve iraniane, e cila e ka zemëruar Teheranin, do të mbetej në fuqi.
Trump theksoi se do ta “zgjasë armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe bisedimet të përfundojnë, në një mënyrë apo tjetër”.
Ai shtoi se SHBA-ja do ta vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane, e cila deri tani ka çuar në sekuestrimin e të paktën dy anijeve nga Marina amerikane.
Teherani ka thënë se nuk do t’i rifillojë bisedimet pa u hequr bllokada, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta heqë atë derisa të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.
Rundi i parë i bisedimeve në Islamabad më 11-12 prill nuk arriti të prodhojë marrëveshje për përfundimin e plotë të luftës.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa anijet e mallrave janë grumbulluar në Gjirin Persik për shkak të bllokadës.
Teksa trafiku detar është ngadalësuar pothuajse plotësisht, disa anije thuhet se kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit./ REL









