Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë të zhvilluar së fundmi ka komentuar marrëdhëniet me vendet perëndimorë veçanërisht SHBA-në pas tensioneve në veri të vendit.
Në një intervistë në KTV, Kurti u shpreh se ka komunikim të përditshëm me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier ku shtoi se ka respekt të veçantë për të por është votuar nga populli dhe atij duhet t’i dal zot.
“Këtij populli unë duhet t’i dal Zot sepse për këtë më kanë sjell në karrige. Për Hovenier kam respekt të veçantë, bile shumë të veçantë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka votuar ambasadori. Nuk është emërim kryeministri”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se nuk është normale që ai të pajtohet për gjithçka me ambasadorët e huaj.
“Ka dy vjet që bashkëpunoj me ambasadorët e QUINT-it, atë të BE-së dhe atë amerikan. Nuk pajtohemi çdo herë për gjithçka. Nuk është normale të pajtohemi për gjithçka”, ka theksuar Kurti.
Duke folur për reagimet publike, e madje edhe ndëshkimet konkrete nga SHBA, Kurti ka thënë se më shqetësuese mbetet “milicia fashiste” në veri.
“Është brengosëse, por më shqetësuese dhe brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpesherë nuk ke opsione ideale. Në këtë kontekst besoj që kam bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka theksuar ai.