Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua sot një debat parlamentar lidhur me situatën në veri. Albin Kurti tha se ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Kryeministri u shpreh në Kuvend përpara deputetëve se qeveria e tij beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por se qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë.
“Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë. Ne jemi thellësisht transatlantik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve.
Por, qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njejtë. Serbia është vend autokratik, Serbia nuk është vend demokratik. Në Serbi shtypen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale.
Ne e kemi dëshmuar se jemi partner të denjë të miqve tanë ndërkombëtarë, me avancimin tonë demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bën bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qëllimet, vizionet, vlerat e interesat i kemi të përbashkëta”, ka thënë Kurti.