Pas ndërprerjes për shkak të zgjedhjeve, Këshilli i Legjislacionit u mblodh sot për të nisur procedurën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Debatet ishin të shumta. Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe deputetët e tjerë demokratë akuzuan se shumica po zvarrit çështjen për të shpëtuar ministren e Jashtme.
“Me shumë gjasë herët apo vonë nuk besoj që do të ndodhë që kjo çështje të mos shkojë në GJK. Mazhorancë duket qartë që e ka marrë në mbrojtje përfaqësuesin e vet në qeveri dhe do të përdorë atje leximin që eksperti i ka bërë çështjes dhe do të jetë ky argumenti kryesor që do të përdoret” tha Alibeaj. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi ishte edhe më i ashpër. “Ju doni thjesht zvarritjen e procesit”.
Nuk mungoi ironia e Korreshit. “Ne propozojmë, miratojmë ligje për 3 mln e kusur shqiptarë dhe çuditërisht del e nevojshme për profesionist për të lexuar një vendim gjykatë. Pjesa më e madhe avokatë të mirë.
Kam një kërkesë, propozoj një ekspert tjetër, neuro-psikiatër. Ore ne jemi apo bëjmë si budallenj? Nëse jemi për budallenj të ndryshojmë. 10 juristë të mos dinë të lexojnë një vendim gjykatë. Me duket e çuditshme, ore të ndryshojmë profesionin. Të na japë një raport mjeko ligjor që jemi të aftë për të ushtruar profesionin”, tha Korreshi.
Këshilli në Prill vendosi me votën e socialistëve që të kërkojë ekspertizë të jashtme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo gjykatë shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mocionit për papajtueshmëri të mandatit. Sot afati kërkoi tre javë kohë dhe këshilli do të mblidhet pas 21 ditësh.