Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Shoqatës Vatra, Elmi Berisha thotë se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Megjithatë, ai shprehet i bindur se kjo është një situatë e përkohshme dhe se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën nuk do të dëmtohen.
Ai bën thirrje që qeveria e Kosovës të zbatojë në tërësi thirrjet e Uashingtonit, ndërsa thotë se zyrtarët perëndimorë duhet të tregohen më të ashpër me Beogradin zyrtar.
Krytari i Shoqatës shqiptaro-amerikane “Vatra”, Elmi Berisha, mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, por shton se çdo lëvizje e qeverisë në Prishtinë, duhet të jetë në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, parlamenti dhe instuticionet në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se mendimet, qendrimet që vijnë nga Uashingtoni zyrtar duhet të respektohen në tërësi.
Ua rikujtoj edhe shqiptaro-amerikanëve por edhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në vendet e origjinës se nuk kemi asnjë mik më të mirë në botë sesa popullin amerikan dhe qeverinë amerikane. Prandaj ne nuk duhet të hedhim dyshime tek e ardhmja e Kosovës”, thotë ai.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës aktivisti Berisha thotë se Kosova duhet të nisë menjëherë me zbatimin e kërkesave të Uashingtonit, duke përfshirë atë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni duhet të ndodhë, por asnjëherë që të drejtat e serbëve të vijnë në nivelin e vetqeverisjes, ose qeverisjes, apo të drejtës për kushtëzim apo destabilizim të shtetit të ri të Kosovës”, thotë veprimtari.
Artikulli i plotë këtu.