Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, duke folur në seancën e sotme plenare foli në lidhje me dëmshpërblimet e pronarëve të cilëve iu është zënë toka nga ndërtimet pa leje.
Po ashtu, ajo foli edhe për legalizimin e ndërtimeve pa leje, që sipas Bushkës është problematik ende në shumë zona të kryeqytetit.
“Nga gjithë diskutimet që kam pasur me qytetarët ditët e fundit, kam vendosur të diskutoj në lidhje me legalizimet e ndërtimeve pa leje.
Në vend ka ende ndërtime pa leje, të pa legalizuara. Në këto kushte, pavarësisht se ligji tashmë është miratuar dhe është në funksion të plotë, shoh që ka zona ku në një lagje, tre shtëpi janë të legalizuara, tre të tjera nuk janë.
Do duhet të ndryshohet metoda e punës sa i takon adresimit të këtij problemi. Kjo do të thotë që lagjet të merren me blloqe dhe t’i jepet fund kësaj situate.
Sa më shpejt të kryhet procesi, aq më shpejt do të kompensohen ish-pronarët, që iu është zënë prona nga ndërtimet pa leje.
Kjo mazhorancë, kuvendi i kanë miratuar të gjitha mekanizmat për ta arritur këtë synim, ndaj ne duhet të kemi pak më shumë përqasje në zbatimin e tij.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj Klotilda Bushka.