Trajneri i Fiorentinës, Vinçenco Italiano, mban lartë vigjilencën në prag të finales së Ligës së Konferencës kundër West Ham-it sot në Pragë.
“Anglezët kanë cilësi dhe talent. Është një skuadër e fortë fizikisht me lojtarë niveli dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Detajet do të bëjnë diferencën. Çdo gabim mund të vendosë ndeshjen. Duhet t’i mbajmë antenat ngritur. Dy finale nuk janë gjë e vogël. Shpresojmë që këtë ta fitojmë”, tha tekniku italian në konferencën për shtyp.
Fiorentina dhe West Ham e kanë fituar një trofe të fundit të UEFA-s në vitet 1960 dhe një prej klubeve pritet t’i japë fund pritjes së gjatë. Por suksesi i sotëm në trofeun e tretë më të rëndësishëm europian do të ketë rëndësi edhe për rikthimin e klubeve në Europë për sezonin e ardhshëm.
“Fiorentina më ka surprizuar shumë, duke arritur në një tjetër finale dhe kjo do të thotë shumë për punën e tyre të gjatë. Është një kundërshtar shumë i vështirë. Është gjithnjë e vështirë të ndeshesh me klubet italiane. I respektojmë shumë. Shpresojmë që këto 10 ditë të na kenë mjaftuar për ta përgatitur sa më mirë finalen. Ne duam që të fitojmë trofeun”, nënvizoi tekniku skocez.