BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e Kuvendit sot.
Në gusht të vitit 2022, Kuvendi kishte bërë tashmë një hap të madh në trajtimin e rekomandimeve të BE-së në fushën e financimit të fushatës përmes Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
“Që nga viti 2013, përmes vendosjes së misioneve me të drejta të plota për vëzhgimin e zgjedhjeve (EU/EOMs), BE-ja në Kosovë i ka monitoruar si zgjedhjet komunale edhe ato të përgjithshme dhe ka ofruar një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kornizës zgjedhore”.
“BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.
Në korrik të vitit 2022, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, i cili e përfundoi me sukses dhe me konsensus punën e tij më 5 prill 2023.
“Komisionin e përgëzojmë për punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, vijon komunikata e BE-së.
BE i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.