Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, tha të premten se pas protestave të 29 majit në komunën e Zveçanit në veri në të cilën 30 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përplasjeve me grupe serbësh qëndronin disa grupe kriminale.
“Përgjatë protestës shumë pjesëtarë të KFOR-it u lënduan nga gjuajtja e gurëve, mjete shpërthyese të improvizuara dhe përdorimi i armës. Ishte e qartë se njerëzit po përpiqeshin të protestonin në një mënyrë paqësore, por gjithashtu ishte e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që po përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it”, tha zëdhënësi Andrea Gallieni në një konferencë më gazetarë në Prishtinë.
NATO-ja vendosi që 700 trupa shtesë t’u bashkohen paqeruajtësve në Kosovë pas dhunës së 29 majit.
“Ata do të qëndrojnë në Kosovë derisa të shihet e nevojshme. Është masë parandaluese vetëm për t’u siguruar se KFOR-i i ka të gjitha mjetet e mundësitë për t’u përballur me situatën, ku çdo ngjarje mund të përshkallëzohet për shkak të situatës së sigurisë, por për momentin është goxha e paqëndrueshme”, tha zëdhënësi Gallieni.
Të dyja palët tha ai, duhet të mbajnë përgjegjësi, njëra për marrjen e vendimeve pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve.
“Është e rëndësishme dhe thelbësore që gjithashtu të gjithë të përmbahen nga retorika, sepse në këtë moment vetëm dialogu ndërmjet palëve duhet parë si mënyra e vetme për zgjidhjen e situatës.
Detyra e KFOR-it është për të siguruar kushtet për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropa për të ecur përpara dhe për të gjetur zgjidhjen e këtij problem”, tha ai./VOA
Artikulli i plotë këtu.