Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku ka reaguar në lidhje me ndalimin e shfaqjes së 2 filmave shqip në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.
Për mes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Çeku e cilësoi ngjarjen si të paprecedent dhe të papranueshëm.
“I paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave”, ka shkruar Çeku.
“Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mos-durim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë.
Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”.
Në fund ka theksuar se ky ka qenë njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i ka mbështetur financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.