Pas raportimit të mediave të huaja për arrestimin e shqiptarit i cili ishte i shpallur në kërkim për masakrën e 2021 në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona she u plagosën 2 të tjerë ka ardhur edhe reagimi i policisë.
I arrestuar është Elmilind Dyli i cili u lokalizua dhe kap në Itali me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje.
Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.
Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021.