Përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Uashingtonit që të mbështesë pa rezerva Kosovën, duke thënë se ajo po zbaton rregullat e shtetit ligjor kundër ndërhyrjes së Serbisë në çështjet e brendshme të saj.
Letra dërguar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, vjen në një kohë kur qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me tensionet e fundit në veri, diçka e pazakontë gjatë marrëdhënieve mes dy vendeve.
Njëri nga hartuesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se shtysa për letrën ishte shqetësimi se së fundmi trysnia amerikane ka qenë e njëanshme kundër Kosovës.
“Letra bën thirrje që të ketë një ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara për Ballkanin dhe të ketë më shumë mbështetje për shtete si Kosova dhe shtete të tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon e në veçanti për Kosovën”, thotë Gashi.
Gashi thotë se në letrën e hartuar prej tij dhe Besnik Pulës dhe nënshkruar nga 70 persona kërkohet “një mbështetje më të madhe për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje, pavarësisht personave të zgjedhur, pavarësisht legjitimitetit të cunguar.”
“Ne kemi parë që më herët kishte mbështetje për rezultatin e zgjedhjeve por pastaj nuk kishte mbështetje për këtë zbatim”, tha ai./VOA