Silvio Berluskoni, manjati i mediave dhe miliarderi që shërbeu si kryeministri më afatgjatë i Italisë, me gjithë skandalet dhe akuzat për korrupsion që e shoqëruan, vdiq të hënën në moshën 86 vjeçare. Ai ishte shtruar në spital të premten për të dytën herë gjatë muajve të fundit, pasi vuante nga leucemia.
Rrjeti televiziv Mediaset, në pronësi të zotit Berluskoni, njoftoi vdekjen e tij nëpërmjet faqes së internetit.
Ndërsa ishte shtruar në spital për shkak të leucemisë, zoti Berluskoni vuante prej vitesh edhe nga probleme të zemrës, nga kanceri i prostatës dhe ishte shtruar në spital edhe nga COVID-19 në vitin 2020.
Berluskoni përdori rrjetet e tij televizive dhe pasurinë e madhe për të ndërtuar një karrierë politike që mori besnikërinë e mbështetësve, por edhe urrejtjen e kundërshtarëve.
Për admiruesit, politikani që shërbeu tre herë si kryeministër i vendit ishte një burrë shteti i aftë dhe karizmatik, që u përpoq ta ngrejë imazhin e Italisë në skenën botërore. Për kritikët, ai ishte një populist, që rrezikoi të dëmtonte demokracinë, duke përdorur pushtetin politik si mjet për pasurimin e vetes dhe të bizneseve të tij.
Megjithëse zoti Berluskoni nuk mbante vetë ndonjë post, vdekja e tij ka të ngjarë të destabilizojë politikën italiane në muajt e ardhshëm. Partia e tij Forza Italia është pjesë e koalicionit qeverisës të Kryeministres Giorgia Meloni, një udhëheqëse e së djathtës së skajshme, që mori pushtetin vitin e kaluar.
Miqësia e tij me Presidentin rus Vladimir Putin e vendosi në kundërshti me zonjën Meloni, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.
Për ditëlindjen e tij të 86-të, ndërsa lufta vazhdonte, Presidenti rus Putin i dërgoi zotit Berluskoni urime si dhe një shishe vodka. Zoti Berluskoni më pas u mburr se ia ktheu favorin duke i dërguar verë italiane./VOA
Artikulli i plotë këtu.