Ditën e sotme janë zhvilluar tensione të reja pas arrestimit nga policia e Kosovës të serbit, Milun Milenkoviç.
I njohur si Llune ai dyshohet se ndodhet pas sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protesta në veri të vendit.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se Milenkovic ishte një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësi i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Kosovës.
Mediat kosovare raportojnë se Milenkoviç më parë ka qenë shofer i një prej ministrave të Listës Srpska në Qeverinë e Kosovës.
Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe tre nga ta janë të lënduar lehtë.
Pas arrestimit të tij u dëgjua alarmi në veri të vendit ku më pas u mblodhën më shumë qytetarë në protestë.