Ish-zëvendëshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph ka reaguar në lidhje me zhvillimet në veri ku është shprehur se vlerësuar se SHBA-ja është duke krijuar një krizë atje.
Joseph tha se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken duhet të vendosë nëse ia vlen ky çrregullim rajonal dhe dëmtim i reputacionit të SHBA-së, për ta kënaqur një autokrat serb.
“Blinkeni duhet ta mbyllë turneun e tij në Bruksel, me Borrellin e përfaqësuesin special të BE-së për rajonin, Miroslav Lajçak. Blinkeni duhet t’ua kujtojë diplomatëve se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës mban emrin e BE-së.
Brukseli nuk mund të fshihet më prapa linjës se është thjeshtë lehtësues. SHBA-ja dhe BE-ja, në vend të një paqartësie konstruktive, duhen të përqëndrohen në qartësi. Është urgjentë është një sekuencim i hekurt i hapave që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin për ta zbatuar marrëveshjen, dhe atë ta bëjnë shpejt brenda këtij viti”, ka shkruar Joseph.
Joseph shtoi se administrata Biden ka ndëshkuar tashmë Kosovën dhe është gati t’i shkaktojë më shumë dhimbje.
“E frustruar me kryeministrin e Kosovës që nuk ka ofruar kushtet e tij për themelimin e Asociacionit, dhe e zemëruar me operacionin e tij të fundit, e të pamatur policor në veri të Kosovës të dominuar nga serbët, administrata Biden ka ndëshkuar tashmë Kosovën dhe është gati t’i shkaktojë më shumë dhimbje”, ka shkruar Joseph.
Joseph ka thënë se Washingtoni e Brukseli ndajnë fajin për krizën, duke përfshirë këtu edhe dhunën e ushtruar nga serbët kundrejt paqeruajtësve të NATO-s.
“Në vend që ta lejojë frustrimin që ta drejtojë politikën e tij karshi Kosovës, apo që ta lejojë iluzionin ta drejtojë politikën e tij karshi Serbisë, Blinkeni duhet të rishqyrtojë urgjentisht qasjen e administratës së tij”, ka vlerësuar Joseph.