Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës për të shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili i jepte të drejtë qeverisë Rama sekuestrimin e kateve pa lejeve të ndërtimeve në vend.
Ndryshe nga herët e tjerë, trupa gjykuese nuk ka dhënë asnjë sqarim për marrjen e këtij vendimi, përveçse lajmëron se arsyetimi do të bëhet brenda afateve ligjore.
Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi që udhëhoqi këtë betejë në emër të opozitës thotë se nuk është i habitur nga vendimi, pasi Edi Rama dhe oligarkët i bënë presion gjykatës.
“Asnjë surprizë! Vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese e ka shpallur Edi Rama më 15.12.2022, ku kërkoi nga GJK të mos lajthisë dhe e sfidoi hapur duke paralajmëruar moszbatimin e çdo vendimi të ndryshëm.
Për fat të keq Gjykata Kushtetuese nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij! VKM-ja që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës: Burg për qytetarët e thjeshtë, amnisti dhe legalizim për oligarkët” tha ai.
Para se Kushtetuesja të rrëzonte opozitën, qeveria ka përforcuar aksionin e saj ligjor, duke e kthyer këtë nisëm nga VKM në projektligj, i cili do të duhet të miratohet edhe nga Parlamenti.
Gjykata Kushtetuese rrëzon PD-në, shpëton Ramën dhe bosët e ndërtimit