Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj ekipeve të mediave që ka ndodhur këtë të premte në veri të vendit, nga protestues serbë të maskuar. Konjufca e ka dënuar ashpër këtë sulm, ndërsa ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.
“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook. Sipas tij, nëse BE-ja e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi. “Duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë”, ka shkruar ai.
“Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri tek rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare” tha ai.