-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Kosova, ‘tradhtari Rama’ dhe Kurti

Kryesoret

Askush nuk mund ta mendonte se, pavarësisht se në Shqipëri dhe në Kosovë qeverisin dy forca të majta, mes tyre do të kishte një gjendje të tillë, të nderë, shpesh-herë konfliktuale dhe marrëdhëniet mes dy shteteve do të ishin me të ftohta se kurrë më parë.

Në Shqipëri qeveris e majta socialiste prej 10 viteve, në Kosovë qeveris e majta e Lëvizjes VV, prej dy viteve e gjysmë.

E majta në Shqipëri ka drejtues të saj Edi Ramën, lëvizja VV në Kosovë drejtohet nga Albin Kurti: Dy burra që kur janë me njëri-tjetrin, pra në praninë e njëri-tjetrit, sidomos kur janë në një shtet të tretë, përshfaqin marrëdhënie të afërta, nganjëherë vazhdues të një kombi, dhe kur janë në zyrat e tyre, sidomos në afërsi të militantëve, shfaqin tipare të tjera.

Cinizmi, mosmarrëveshja, turbullimi dhe jo qartësia politikë, ngutja dhe jo mendimi, shpesh-herë rendja pas fjalëve që bëjnë efekt të çastit dhe jo perspektiva, përbëjnë sherrnajën  mes tyre.

E vërteta është e hidhur: në 32 vite pluralizëm, marrëdhëniet mes dy qeverive nuk kanë qenë asnjëherë në një ultësirë të tillë. Asnjëherë më parë, edhe kur në Kosovë dhe në Shqipëri kanë qeverisur forca që i përkitnin rrymave të ndryshme politike, marrëdhëniet mes liderëve dhe dy forcave politike qeverisëse nuk kanë qenë kaq të pakta, ta pakuptueshme, drejt tendosjes së vazhdueshme, ç’ka ka bërë që edhe gjesti më normal i mirëkuptimit të kuptohet si ngjarje e pazakontë, por edhe të gërmohet se çfarë qëndron pas çdo fjalie të hedhur në Prishtinë apo në Tiranë.

Në Kosovë gjendja është më e tendosur. Janë një mijë e një shkaqe që kanë sjellë një gjendje të tillë, të cilat, duan apo nuk duan në Prishtinë, kanë ndikimin e tyre edhe në Tiranë.

Në Shqipëri aspiratat dhe dëshirat e shefit të qeverisë dhe të ekzekutivit që ai drejton, të njësuara apo jo me forcën politike që i ka dhënë mandatin, jo gjithnjë janë në sinkron me aspiratat dhe synimet e Prishtinës në rrugët që duhen ndjekur në arritjen e një qëllimi të dhënë, e po ashtu, është i mjaftueshëm vetëm ky fakt që gjërat të errësohen.

Në Kosovë, politika e Kurtit në drejtimin e marrëdhënieve me qeverisjen në Shqipëri ka pasur dredhimet e saj, synimet që nganjëherë kanë qenë kundërvënëse apo edhe janë shfaqur si përballje politike, por që nuk kanë luajtur rol në ndryshimin e drejtimit të qeverisë.

Edi Rama i takon liderëve politikë që kanë lëvizur nga e djathta ekstreme drejt së majtës progresive, më tepër si synim, se sa si dëshirë. Në dhjetë vite të qeverisjes së tij në Shqipëri si kryeministër, dhe në rreth 22 vite si ministër, kryebashkiaku i Tiranës dhe shefi i qeverisë, kanë krijuar edhe figurën e drejtuesit autokrat, i cili nuk ka tani për tani asnjë figurë tjetër që mund të afrohet drejt pushtetit të tij, por që në këto dekada atij i kanë krijuar edhe rrethin e domosdoshëm për të qenë njeri i politikës, për më tepër, jo vetëm brenda gardhit të tij, por të jetë i pranishëm edhe në diplomacinë përtej vendit të tij, ku është gjetur natyrshëm.

Albin Kurti i takon një brezi politikanësh që më parë se të veshë kostumin e njeriut të politikës, ka pasur mbi supe mantelin e luftëtarit revolucionar, kryengritës, përgjithësisht të majtë, që ka një fillesë, demonstratat e studentëve të Prishtinës, në tetor 1997, ku ai ishte njëri nga katër drejtuesit kryesorë të saj, së bashku me Bujar Dugollin, Muhamet Mavrajn, Driton Lajçin, të përkrahur fuqishëm nga rektori i universitetit, Ejup Statovci.

Shpesh-herë fillesa e një politikani luan rol në vazhdimin e jetës së tij, por si çdo rregull, ka edhe përjashtimet e veta. Të dy, Rama në Shqipëri dhe Kurti në Kosovë, janë të dashuruar pas pushtetit. Kanë synuar marrjen e tij dhe do të synojnë edhe më tej të jenë njerëzit e pushtetit. Kjo është në genin e tyre politik dhe do të vazhdojë të jetë.

Ngjarjet e fundit nuk sollën që nuk është ditur, dallimet mes tyre, por i bënë më të dukshme. Nëse nga njëra anë është qetësia deri në mospërfillje e veprimeve politike të Prishtinës ndaj shtetit shqiptar; në anën tjetër është jo vetëm rezistenca, por edhe shfaqja publike ndaj asaj që ndodh në Shqipëri, për Shqipërinë dhe sidomos në lidhje me Kosovën.

Rama nuk shfaqi mërzinë e tij nëse Kurti, në vizitat e tij në Tiranë të deri pra disa viteve anoi shumë më tepër nga opozita, sidomos ndaj dyshes Meta-Berisha. Ai  e mendoi këtë si një treshe politike që synoi të krijohej për largimin e tij nga pushteti. Nuk e mori seriozisht as vizitën e parë të Zonjës Osmani në rolin e presidentes së Kosovës, kur ajo, pasi dërgoi mesazhet e saj në takimet me opozitën, për më tepër në fjalën e saj në Parlament, hodhi dorashkën e saj, që ngjau me një dorashkë të ardhur nga një kohë tjetër dhe që i ngjante atyre të Ballit Kombëtar të vitit 1942. Ai, si duket e kuptoi se kjo ishte një lojë e përkohshme dhe nuk e ndryshoi rrjedhën që nga shumë kush pritej të ndryshonte. Dështimi i Lëvizjes VV në zgjedhjet politike të vitit 2021, shpallja e liderit të opozitës, Berisha, ‘non grata’, fjalimet marroqe dhe qëndrimet e lajthitura të ish-presidentit Meta ndaj mendimit politik të Shteteve të Bashkuara, e ndihmuan atë të pastronte rrugën politike.

Është fakt, i pranuar edhe nga Berisha, që pas shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Britania e Madhe, çdo kontakt publik ose jo publik, mes tij dhe zotit Kurti apo Osmani, nuk ka ndodhur. Kalimi i “Rubikonit” kishte ndodhur vetëm një herë dhe nuk mund të përsëritej.

Kurti, njeri që e njeh politikën, për më tepër ndër të paktët lider në Kosovë që njeh edhe filozofinë e politikës moderne evropiane, e di fare mirë se atij i mjaftojnë qëndrimet e papërcaktuara ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit, shpërthimet e panevojshme politike ndaj drejtuesve të këtij Departamenti, nxitja që i është bërë mohimit të vlerave që ka sjellë në vazhdim prania amerikane në rajon e sidomos në Kosovë, saqë nuk mund të bënte edhe një shenjë tjetër distancimi, takimet dhe konsultat me zotin Berisha apo Meta, apo edhe përtej saj, krijimin e një fronti të përbashkët politik.

Zhvillimet e tanishme, si anulimi i Mbledhjes së Përbashkët të dy qeverive, drafti i shefit të qeverisë shqiptare për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, deklarimet e zotit Kurti për to, hedhja poshtë e draftit ende pa e lexuar, nxitja e një grupi militant për të protestuar përballë selisë kryeministrore, theksi gjithnjë e më agresiv i përkrahësve të tij në mediat sociale, qëndrimet e një grupi këshilltarësh rreth tij dhe të financiar nga qeveria e tij, përgjithësisht të ardhur nga rrethi i sipërm i Lëvizjes VV, krijimi i një fronti të përbashkët mediatik me figura mediale të lidhur me opozitën dhe që predikojnë luftën dhe krijimin e një fronti antiamerikan në Kosovë, si e kishin kërkuar edhe në Shqipëri – të gjitha këto kanë qenë shkaqe, por jo të panjohura për ftohjen deri në këtë pikë të marrëdhënieve mes dy qeverive.

Një analist pranë Kurtit dhe himnizues i tij, edhe kur ai kollitet, ministra dhe këshilltarë ministrash, disa herë kanë trajtuar figurën e shefit të qeverisë së shtetit shqiptar si njeriu i Vuçiçit, tradhtar i kombit, i shitur dhe kjo frymë, që nuk ka të bëjë vetëm me Ramën apo forcën e tij politike, po vjen e rritet.

Megjithëse kurrë nuk kam qenë për “Ballkanin e Hapur” si vijë politike në këtë pjesë të Ballkanit dhe qëndrimin e kam bërë të njohur, pavarësisht se tani shumë diplomaci euroatlantike e njohin si një mundësi, në Kosovë, përmes nxitjeve politike, të jo rastësishme, gjithçka trajtohet si thikë pas shpine që i bëhet Kosovës.

Nga ana tjetër, çdo qëndrim i politikës aktuale në Kosovë ndaj politikës perëndimore, trajtohet si një braktisje që po i bëhet perëndimit, si mosmirënjohje, ndryshim i kursit politik të Prishtinës, çaste fëmijërore të Kurtit dhe të ministrave të tij. Por, fakt është se qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar nuk ka shkuar kurrë, asnjëherë në etiketime publike dhe as të nëndheshme për qëndrimin atdhetar apo kombëtar të qeverisë Kurti.

Nëse pjesë të botës mediatike të lidhur me qeverinë Kurti dhe pjesë e Lëvizjes VV kanë dëshirën e tyre, që Edi Ramën ta cilësojnë si tradhtar të kombit dhe të ushqejnë këtë ide kudo që kanë mundur, që median kritike ndaj veprimeve të qeverisë së Prishtinës t’i trajtojnë si shitje të interesave dhe të shitur te qeveria, duke shkruar se “Edi Rama dhe larot e tij”, ç’ka nuk ndodh kurrë në Tiranë, kjo është vazhdë e asaj që buron nga zyrat qeveritare dhe jo dëshirë vetjake.

Nëse Kurti ka linjën e tij të vetëvendosjes edhe në planin e marrëdhënieve me shtetet perëndimore dhe shteti shqiptar është në të njëjtën linjë me Perëndimin, kjo nuk është tradhti e as braktisje, kjo është ndihmë, pasi shteti Amë përcaktohet për të qenë pranë tyre jo si njësi territoriale apo qeverisje e një pjese të kombit, por si pjesë e një koalicioni shumë më të madh, ku është edhe shtëpia e përbashkët e dy shteteve tona, deri sa të ketë liderë të vërtetë që të bëjnë bashkimin e kombit.

Nëse qeveria Kurti bën pjesë të stafit të saj mediatik, të cilët një ditë do e braktisin edhe vetë politikën e tij, figura që kërkojnë me çdo kusht krijimin e kombit kosovar në Kosovë, në vend të kombit shqiptar, ëndërr e vjetër e Beogradit, është detyrë e kujtdo të thotë të vërtetën se kjo nuk është rrugë e drejtë.

Nëse pranë qeverisë Kurti afishohen njerëz që bëjnë thirrje për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara dhe krijimin e miqësive të tjera, është detyrë e shtetit shqiptar dhe e kujtdo të thotë se kjo nuk është rruga e duhur.

Nëse qeveria e Shqipërisë, më parë se të ia dërgojë qeverisë së Kosovës draftin e saj, ia dërgon kancelarive të tjera, është detyrë e kujtdo të shkruajë e të thotë të vërtetën se, më parë se vëllezërit t’i jepet komshiut, ata i tregojnë hallet dhe idetë njëri-tjetrit.

Cinizmi, loja e fjalëve, mos përfillja , nxitja e një pjesë ndaj tjetrës, krijimi i miteve të rremë, zaptimi i foltoreve dhe largësia, bllokimi i mallrave dhe thirrjet delirante të bllokimit të plazheve shqiptare, mospërfillja e njërës pjesë ndaj tjetrës, kërkimi për të qenë lider mbi palët, asnjëra prej tyre nuk të dërgon drejt mendimit të përbashkët politik dhe veprimit konkret në rrafshin kombëtar.

Liderët janë të përkohshëm, por në këtë përkohshmëri ata duhet të bëjnë detyrën e tyre. Të paktën aq sa u takon.

Rama dhe Kurti kanë përgjegjësinë e tyre për të afruar pjesë të një kombi. Asnjëri prej tyre, pavarësisht kohës, nuk është i përjetshëm në politikë. Koha do gjykojë secilin.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit