Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim me liderët politikë të partive parlamentare.
Krasniqi e ka arsyetuar vendimin me sjelljen e Osmanit për zhvillimet e fundit, duke konstatuar se ajo ka shkelur obligimin e saj kushtetues. Në letrën e Krasniqit drejtuar presidentes, bëhet e ditur se takimi ka qenë i propozuar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Dje kam pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se është i gatshëm të takohet me Osmanin në rast se vendoset për caktim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Përgjigje për ftesën e Osmanit nuk kanë dhënë ende kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.