Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.
Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar të enjten “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell dhe Lajçak janë takuar sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.
Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.
Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”./rel