Në opozitë njerëzit e politikës zakonisht bashkohen. Thjeshtë për të marrë pushtetin.
Në Shqipëri ndodh ndryshe. Në opozitë ndahen.
Në opozitë njerëzit e politikës ndërtojnë një strategji të përbashkët dhe synojnë që përmes një vizioni të ri, të bëhen më të besueshëm dhe të jenë në pushtet.
Në Shqipëri ndodh ndryshe. Kalimi në opozitë i nxit nga ndarja, nga ekstremiteti i përplasjeve, lufta brenda vetes dhe qëndrimi në idetë e vjetra, që kurrë nuk kanë qenë të frytshme.
Askush nuk mund të sjellë një shembull tjetër më domethënës se sa opozita e tanishme. Askund tjetër, në 32 vite jetë politike, një opozitë, e cila ka qëndruar në pushtet thuajse sa gjysma e një force politike që u mendua pa të ardhme, të jetë ndarë kaq shumë, të jetë copëtuar në vete, të ketë sulmuar figurat e saj, të ketë shpallur kaq shumë armiq brenda vetes, të sulmojnë me shkopinj selinë e saj, ku njëra gjysmë sulmon e tjetra mbrohet me hunj; askund tjetër, më shumë se gjysma e liderëve të saj të jenë shpallur armiq, e ku asgjë nuk ndryshon, asgjë nuk reformohet.
Askund tjetër, nga 35 themelues të saj, të ketë ngelur në parti vetëm njëri, shefi i saj, i atëhershëm dhe i tanishëm, me të njëjtën stil politik, mendësi politike, dhe të njëjtat humbje politike.
Në ditët e pas 22 marsit 1992, në Shkodër, presidenti i kohës Berisha, i pyetur se çfarë mund të bëjnë nëse socialistët ri vijnë në pushtet, ishte i bindur dhe u përgjigj se ata, e majta, edhe për 50 vite nuk do të qeverisin më Shqipërinë. Profecitë janë të rrezikshme për politikanët. E majta erdhi në pushtet pas 5 viteve. E djathta nuk mësoi nga fajet e saj dhe si duket, nuk e ka ndër mend të mësojë. Njeriu i tyre i shpresës, së djeshme e të sotme, është i lëçitur nga perëndimi, i shpallur “non grata”, i lënë mënjanë, i pa përfillur dhe i cilësuar si i rrezikshëm.
Vendin e figurave të shquara themeluese, që vërtet nuk do të qëndronin gjithnjë, e kanë zënë përgjithësisht mediokër, të paditur, të palexuar, merita e të cilëve është fjalori i rëndë, mungesa e ideve dhe besnikëria e verbër nga çdo gjëje që ka lidhje me shefin. Të gjithë ata që përkohësisht kanë qenë liderë të saj janë tashmë armiq dhe të fundit, Lulzim Basha, ndoshta zgjedhja më e dobët e saj, nuk i lejohet tani as të futet në oborrin e selisë së partisë që drejtoi dhjetë vite, e jo më të jetë anëtar i saj.
A po shkërmoqet Partia Demokratike? Kanë shterur idetë e saj? Nuk ka më vizion, të humbur 25 vite më parë dhe ende nuk kanë ngritur një ide të re, joshëse dhe progresive?
X x x
Në politikë është e vështirë të bësh “Kasandrën”. Askush nuk do e kishte menduar, 30 vite më parë, edhe më pesimisti i mundshëm, se kjo kohë e tashme do të ishte kaq e përmbytur nga nepotizmi, hajdutëria dhe mungesa e jashtëzakonshme e vlerave dhe e ndjenjës së përgjegjësisë; po aq sa nuk do e kishte menduar se, në skakierën e shahut lëvizin po të njëjtët mbretër e ushtarë, të njëjtët formacione politike, nuk do e kishte menduar se ata që na qeverisën dhe që na qeverisin nuk demonstrojnë as kreativitet, as guxim e aq më keq, as lidership.
Megjithëse në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë janë të regjistruara më shumë se 100 parti politike, gjithçka sillet rreth tri prej tyre, tani po shfaqet e katërta, ajo e socialdemokrate e Tom Doshit, dhe ndonëse kemi dhjetëra e dhjetëra drejtues partish, bota politike shqiptare, në 30 vite, sillet rreth fare pak emrave, saqë shpesh-herë nuk i kalojnë as gishtat e njërës dorë. Më shumë se hapësirë e mendimit politik, qoftë edhe ndryshe brenda tyre, partitë politike janë kthyer, disa që nga fillimi e të tjera më pas, në detashmente politike të liderëve të tyre; janë pjesë shpesh herë e pa pyetur për asgjë dhe e numëruar si turmë, nga e cila nuk është e vleshme as mendimi i saj politik, as jeta dhe as idetë që mund të kenë.
Sa më të egërsuar shfaqen ata me njëri-tjetrin, aq më tepër nxitin ndarjen; sa më të pasur bëhen ata, aq më e thellë bëhet humnera mes tyre dhe njerëzve; sa më dëshmuese është harbutëria e tyre, aq më tepër e ul kokën partia që i mban si liderë.
Fakt është se, pas 32 viteve jetë plurale, pluralizmi i ideve, vizioneve, mendimit dhe alternativës, është i barabartë me zero, e për të përsëritur njërin nga këto liderë, është “zero me xhufkë”.
Edhe pas 32 viteve jetë plurale dhe drejtim nga një grusht dorë politikanësh, më të shumtët harbutë dhe hajdutë të klasit të lartë, përsëri e keqja gjendet tek Enver Hoxha dhe regjimi i tij, kur të gjithë ata, së bashku, nuk kanë ngritur as një të dhjetën e uzinave, hidrocentraleve , kombinateve dhe ndërmarrjeve të mëdha që ngriti pushteti i së djeshmes. Megjithëse pluralizëm i shpallur, lufta brenda llojit është e egër, me pasoja, dërmuese; përsëri mendimi ndryshe shpallet tabu, bartësi shpallet armik, i mallkuar, nisin fushatat denigruese, i hapen të gjithë fletët e jetës së fisit të tij, dhe, edhe nëse i ka të vyera, i zezohen.
A do të vazhdojë gjatë kjo lojë politike, e shtrirë mbi jetën e njerëzve, e cila po e zbraz këtë vend, po e dëbon një pjesë të madhe të rinisë së shkolluar, po mbyll çdo lloj perspektive për të ardhmen, shpall të huaj çdo njeri të lart arsimuar, i tregon rrugët një mendjehapuri dhe mban pas vetes, ose një debil, por njeri politik, ose një hiç?
Çfarë roli luajtën në këtë katrahurë partitë politike shqiptare dhe a do të vazhdojë më tej kjo lëvizje e stërmadhe drejt shuarjes së jetës në një vend që shquhej për jetë edhe në ditët e rënda të regjimit të shkuar?
Mund të vazhdojë Shqipëria të qeveriset nga njerëz që e mbajnë veten për Skënderbe, dhe sot kemi të paktën dy të tillë, që e krahasojnë shtatin e tyre me atë të Mic Sokolit, Vojo Kushit, që mendojnë se pas tyre, le të bëhet qameti në këtë vend; nga liderët, të cilët, pasi komandohen të drejtojnë kujtojnë vërtet se kanë lindur për të qenë shefa qeverie, nga “ burrnesha”, që edhe burrit të vet ia fshehin të vërtetat, ashtu si kishte nga ata që mburreshin duke menduar se ata vetë janë historia? Cila histori? E atyre që më parë mendojnë ikjen sesa ringritjen? Që fëmijët i kanë sekserë me çanta në duar? Që pinjollët i kanë dërguar në shkollat më të shtrenjta të Europës dhe për më tepër, me shoqërues? Që ndërtojnë vila , qofshin moderne, qofshin si bunkerë dhe askush nuk e di se si u vendos tulla e parë dhe tjegulla e fundit?
Në fund të fundit, a do të ketë shkërmoqje, apo si e quante me të drejtë eruditi Moikom Zeqo, vdekje të bardhë të këtyre partive politike?
Nuk do të ishte çudi. Simotra politike të tyre, edhe pse me një traditë më të herëshme dhe të drejtuara nga liderë të vërtetë, janë shuar dhe vendin e tyre e kanë zënë forca të reja gjeneruese. Socialistët francezë, për shembull, 14 vite rradhasi , kishin në postin e Presidentit, figurën më të shquar të tyre, Fransua Miteran, i nisur nga e djathta për t’u bërë lideri më i famshëm, më i kulturuar dhe më me autoritet i së majtës franceze, e cila tani, në hartën politike të vendit të saj, jo rastësisht, është një pikë e pandjeshme? Demokristianët italianë, po ashtu, duke i ngrënë brenda vetes gangrena e korrupsionit, nepotizmit dhe shuarja e vizionit politik, u zhdukën nga harta politike.
A do të bëhej qameti nëse edhe në Shqipëri, si rrjedhë e kohës dhe e mendimit të ri politik, të ketë shkërmoqje të partive të mëdha, ose transformime të rëndësishme të tyre, në varësi të kohës, ideve të reja në Europën e plakur, një brezi të ri, pa komplekse nga e shkuara, pa rëndesa në jetën e tyre, të shkolluar shumë më mirë sesa liderët e tashëm, brutaliteti politik i të cilëve ta heq dëshirën për të qenë diku, në radhët e tyre?
Po vetë opozita, dobësia e së cilës ka krijuar më shumë shtigje për harbimin e pushtetit?
Në vitin 1997, vetëm toleranca budallaqe e një grupi drejtuesish të së majtës e mbajtën në lojën politike PD-në, e cila e kishte mbushur kupën me zullumet e saj, ku “piramidat financiare” do të dukeshin e keqja më e vogël, ballë asaj që erdhi apo që u synua të vinte edhe më tej se paraja: gjaku i derdhur nga diktatura e rrugës. Duke menduar se hapësira e së djathtës ishte zënë nga një grup renegat i njerëzve të politikës, ata i bënë shërbimin më të keq, jo vetëm vendit, jo vetëm vetes, por edhe së djathtës, e cila ngeli në të njëjtën mendësi të së majtës ekstreme, nën petkun e së djathtës. Më shumë se 4000 të vrarë në harkun e pak viteve do të jetë fatura e “tolerancës socialiste”, por edhe rebelimet, grushti i shtetit 1998, ai i 21 janarit, tentimet e herë pas hershme për një grusht të ri shteti, duke zaptuar Kuvendin dhe duke e djegur atë, e kanë të keqen fillestare pikërisht në mos reformimin e së djathtës, liberalizmin dhe hajduturinë e së majtës, në dy kohë, dhe përceptimin se politika është shkalla më e mundshme e pasurimit korruptiv.
Të gjithë forcat politike, kur ishin në opozitë, si ndodh edhe sot, janë përbetuar se me ardhjen në pushtet, do të dërgojnë turravrap drejt strukturave të drejtësisë të gjithë mëkatarët, politikanët hajdutë dhe vrasës, grusht-shtetasit e njohur, gardën që qëndronte pas tyre, gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, do të ketë rindarje më të ndershme të pasurisë, pra, do të sjellin ndëshkimin e së keqes.
Askush nuk e ka bërë deri tani. Gjyqet qesharake të Berishës ndaj bllokmenëve dëshmuan se klasa e re politike, e sapo ardhur në pushtet, ishte veçse skalioni i dytë i komunistëve, se ata kishin të njëjtat rrënjë dhe aspirata për të qenë “ bllokmenët e rinj”, se vizioni i tyre për Shqipërinë do të ishte hajdutëria dhe masakra e natyrës, ideve, pasioneve, të drejtës dhe të bukurës. Gjyqet e provuara nga e majta, pas vitit 1997, ishin po ashtu qesharakë, sa që nuk mund të dënonin as ata që i kishin ndjekur me tankse, i kishin përzënë me armë nga godina qeveritare, ndonjëri duke ikur me çorape. Rotacioni i vitit 2005 dhe sidomos ai i vitit 2013, ku u mendua se lideri i ri i së majtës do të ishte ndryshe nga liberali Nano, ishin të njëjtë me ndryshimet e mëparshme. Si një rrotë që sillet e ndryshon drejtimin në çdo tetë vite, e majta i shtoi edhe katër, e me këtë opozitë do të shtojë deri sa shefi i saj të jetë i lodhur nga pushteti; ashtu u bënë ndryshimet qeveritare. Herë ta hipa, herë ma hipe – thonin politikanët, ndërsa njerëzit mbanin mbi kurriz këtë klasë politike që e për tallte!
Në njërën nga intervistat e tij të para, në vitin 1991, Berisha, ende me teserën e PPSH në xhepin e majtë, afër zemrës, do të deklaronte se, në pluralizëm, kryetari i një partie do të qëndronte në atë post vetëm një mandat, pasi vendi kishte vuajtur nga kulti i individit. Mendim i shkëlqyer, por, çfarë ndodhi. Berisha qëndroi kryetar de jure e de fakto deri sa u lodh, dhe tani është ende faktikisht kryetari i PD-së. Dy herë që i afruan seriozisht postit të tij, një herë Azem Hajdari e herën tjetër Sokol Olldashi, dihen përfundimet e tyre. Të tjerët, që i vendosi vetë, Tritan Shehu, Selami dhe Basha ishin kukullat e tij, që kur vendosën të bëhen njerëz të politikës ua mbylli dyert, ia rrëmbeu skeptrin, ose i ktheu në raja.
Fakti mbetet i njëjtë: Partia Demokratike nuk është e reformuar, por e deformuar. Ajo e ka këtë deformim që në lindjen e saj ,ku ndodhen përplasjet e disa grupimeve të ndryshme: intelektualë idealistë që e humbën idealin rrugës, studentë entuziastë, karieristë të egër, që menduan se ishte koha e tyre, të infiltruar të sigurimit të shtetit dhe në Këshillin e Parë Kombëtar rreth 20 për qind vinin pikërisht nga kjo skotë, dhe në fund, të dërguar të specializuar të shërbimeve sekrete serbe e greke, të cilët arritën të përmbysin çdo vlerë që mendohej se mund të krijohej.
E përbërë nga klane, grupe dhe rryma të ndryshme ajo i mbijetoi viteve të shkërmoqjes së saj në sajë të dy gjërave: dora e hekurt që vendosi Berisha në parti përmes krijimit të shërbimit politik partiak që ishte edhe mbi vetë shtetin, dhe nga e shkuara prej së cilës vinte vendi, që kishte qenë e rëndë, e pamotivuar dhe kishte kaluar përmes shumë vuajtjeve, sidomos në dekadën e fundit.
Tani është një gjendje krejt tjetër: partia është bërë si një pronë familjare politike, përmes së cilës kanë lëvizur bizneset, janë krijuar oligarkitë, janë hequr qafe pinjollët e familjeve të mëdha dhe atdhetare dhe, në fund, janë shmangur ish të burgosurit politikë, si një shtresë që sillte veç telashe për PD-në dhe ishte si mish i huaj për të.
Nëse në PD ka pasur tentime për ta reformuar atë dhe nuk ia kanë arritur, kjo nuk ka ardhur sepse aty ka pasur mendim të përbashkët politik apo vizione të përbashkëta. Fillesa ka qenë e prapshtë. E domosdoshme të ndodhte, por nga ata liderë, që, duke ardhur nga shtresa e mesme komuniste, nuk kishin vizionin e së ardhmes. Asnjëherë, as në ditën e parë të krijimit të saj e deri më tash, PD nuk i ka takuar së djathtës dhe nuk ka bartur asnjë nuancë kombëtare mbi veten e saj: vlerat ajo i ka hedhur nga dritarja si ka dashur e kur ka dashur dhe kur nuk i ka mjaftuar teritori i saj shtetëror, janë bërë të gjitha përpjekjet që “kusuret” e veta t’i përcjellin në viset e tjera shqiptare, pa marrë parasysh se cilat do të ishin pasojat.
Demokratikasit e kishin një rast të veçantë për të bërë reformimin e tyre: vitin 1997. E kishin rastin tjetër, vitin 2013. Për të qëndruar kështu si janë ata i ndihmoi nga njëra anë pushteti që kishte ende brenda vetes Berisha dhe lehtësia me të cilën i marrin punët socialistët kur janë në pushtet. Viti 1997 ishte viti i domosdoshëm për të bërë reformimin e PD-së, duke e cilësuar me emërin e saktë të gjithë katrahurën që kishte bërë ajo me shembjen financiare të shtetit dhe me kalimin e vendit në pragun e luftës civile, që kishin të njëjtin emërues të përbashkët: PD-në. Një vit më pas, në bashkëpunim me strukturat e shërbimeve sekrete serbe, të infiltruara në rradhët e FARK-ut, një organizatë paraushtarake e ngritur nga Bukoshi me ndihmën e Berishës, kundërshtare, deri me armë e UÇK-së, e njëjta strukturë ndërmori grushtin ushtarak të shtetit, e përsëri, socialistët në pushtet, “hapën zemrën” dhe, megjithëse e gjithë godina e PD-së ishte shndëruar në një magazinë armësh dhe qendër militantësh të armatosur, mbyllën sytë e vazhduan lojën politike.
Të gjitha ato që u kaluan në heshtje, ndarjet e ribashkimet, largimet e kthimet si djem plangprishës, rrënimi i të gjithë statuteve dhe rregullave partiake, përmbledhja e saj në një emër fillimisht e më pas në një familje; krijimi i mitit dhe pastaj, duke u fshehur pas tij, grabitja e shtetit, vrasjet dhe skandalet e përgjakshme si Gërdeci apo pas viti 1997, të cilat kanë marrë më shumë jetë njerëzish se sa e gjithë lufta e klasave në Shqipëri, që nga viti 1945 e deri në fund, e kanë lënë PD-në ashtu si në fillimet e saj: një strukturë të deformuar, ku i forti bën ligjin, në të cilën oligarkët politikë përmbushin çdo normë e ligj dhe ku, dera e familjes është e hapur për të përkëdhelurit e saj.
Figurat e opozitës në ndonjë qark që gëzojnë autoritet të fuqishëm janë të pakët, por edhe këto e kanë arritur përmes përkushtimit të tyre, besimit që kanë njerëzit tek ato dhe sublimes që kanë bartur në vete.
Sa herë që në PD ka pasur përpjekje për të gjetur një emër të ri, aq herë ka patur edhe përzënie. Kështu ka filluar, kështu do të vazhdojë. I përzëni i parë ishte Hajdari, që, kur zemërohej, bërtiste se “unë kam qenë i pari dhe i pari di shumë gjëra” dhe meqenëse po bërtiste pa asnjë hesap, jo larg, tinëzisht, i treguan një rrugë tjetër. Vazhdoi Selami, të cilit, sa u përpoq të dëshmohej se mund të ishte ndryshe, i treguan rrugën, pasi i kishin treguar më parë grushtin. Olldashi, ndoshta i vetmi që kishte karizmin dhe guximin për të bërë diçka të re, e provoi mbi veten e tij se çfarë do të thotë të jesh kundërshtar i klanit proserb në PD-në që kishte dashur. E rrënuan dhe, kur nuk i mjaftoi gjithë kjo, menduan për më tej. Shumë pak, për të mos thënë askush, nuk mund të besojë se ajo që i ndodhi atij, ishte një rastësi fatkobe. Basha, zgjedhja personale e Berishës , ishte djali plëng prishës, pa asnjë ide, asnjë nismë, gjysmë i fjetur dhe përfitues. Ai është “tradhtari” i madh i opozitës, pasuar nga Alibeaj.
Patozi ishte një emër i dëgjuar në PD-në, por është i vonuar. Për të mos thënë se është i tepërt. Ai nuk e ka gjetur kohën e tij dhe vetë koha është kundër tij. Ai kërkon kushte, kur nuk i kanë lënë asnjë lloj kushti dhe nuk i lënë. Ai është futur në një betejë, që nuk ishte e tij, të cilën e di se e ka të humbur dhe për ta bërë krejtësisht humbës, edhe në mos pastë, shpejt do i sajojnë një dosje të tij. I heshtur përballë mizorive politike të shefit të tij, Berishës, atij nuk i mjafton sot gurgullima që kërkon të nxjerrë, pasi të gjitha udhët janë me katarakte të tjerë, të cilat e kanë burimin tek vila e Argitës në Lalëz. Ai, si një njeri me mend që është, është dashur të kuptojë këtë, pasi e ka parë tek miku i tij, Olldashi, të cilit, kur ishte koha , i qëndroi mënjanë. Rreth Patozit janë mbledhur disa “qendrestarë”, që u bënë të tillë kur u është prekur ndenja e tyre politike dhe përfitimet financiare. Gjërat kanë shkuar thellë. Klanet po lëvizin; njëri klan, ai i Bashës, përmes arrogancës dhe sigurisë që i jep Familja dhe, klani tjetër, me kujdes që, nëse punët shkojnë si duan ata, shyqyr o Zot, dhe nëse nuk shkojnë si duhet, ata e lënë një këmbë brenda për të përbetuar edhe një herë për besnikëri ndaj ‘Shefit të Madh’ dhe familjes së tij.
Basha, në të vërtetë, ishte lideri më i keq i mundshëm për një parti politike në Shqipëri. Edhe për të voglën, më të parëndësishmen dhe më të papërfillshmen. Ai hyn në njerën nga fatkeqësitë e popullit: për të gjitha arsyet që kam shkruar më herët. Rikthimi i tij i tanishëm, sado të duket si kthimi i djalit simpatik në familjen e vjetër, nuk mund të ngjallë shpresë në të djathtën, edhe pse idetë që dikur i refuzoi, tani i duken të bukura.
Ai ishte i duhuri për një klan të fuqishëm pro serb në PD-në e kësaj kohe, që vjen nga i njëjti shartim si edhe më parë. Pa u hequr influenca e këtij klani në PD, askush të mos presë se mund të ketë ndryshime apo reformim. Do të ketë makiazh politik, por jo përmbysje.
Duke mos pasur të tillë do të përsëritet rindarja e saj. Fillimi i shkërmoqjes do të jetë i afërt, por nuk do të jetë i gjatë. Basha nuk është më autoritet në PD. Është sinjal i një ndarje të re, por jo vetë ndarja. Dhjetë vite si drejtues i opozitës ishin të mjaftueshme për të pasur shtatin e tij politik, por ai, megjithëse djalë i gjatë, mbeti xhuxhmaxhuxhi i Berishës.
PD ka nevojë të qëndrojë edhe më gjatë në opozitë, pasi pushteti i dhënë dy herë asaj ka dëshmuar se nga etja e tij ato bëhen të pamëshirshëm, agresivë, oligarkë e deri vrasës.
Nëse e ardhmja e saj do të mbështetet në ide të vjetra, të cilat as vetë ato nuk i besojnë; në figura që duhen braktisur prej kohe dhe që nuk kanë asnjë autoritet politik; nëse gjithçka do të perceptohet luftë dhe jo zgjidhje; nëse ndasia nga selia qendrore në bazën e opozitës do të jetë kështu si sot, nëse deformimi dhe jo reformimi do të jenë zgjidhja e saj, e majta do të vazhdojë të qeverisë e të qeverisë, dhe asnjë protestë se, “zgjedhjet na u vodhën”, nuk do të jetë shpëtimi i saj.
Idetë e reja janë të domosdoshme për të. Njerëzit e rinj, po ashtu.
Në tempullin e ri, nuk futesh dot me paçavra të vjetra.