Kuvendi ka futur për votim në seancën plenare të parashikuar për 13 korrik dy projektligje të inicuara nga mazhoranca socialiste, që kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së politikanëve në lidhje me të shkuarën e tyre në komunizëm.
Projektligjet parashikojnë ndryshime në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, si dhe në ligjin për partitë politike.
Në rastin e parë parashikohet heqja e mandatit të deputetit për personat që verifikohen nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq dhe në rastin e dytë, këtyre personave u ndalohet të jenë kryetarë të një partie politike.
Të dyja iniciativat janë të Partisë Socialiste dhe u dorëzuan vitin që shkoi në Kuvend, pasi AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.
Autoriteti i Dosjeve kërkoi në atë kohë të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit, “Mezini” dhe “Bezhani”.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi inciativën një sulm politik, duke hapur një betejë ligjore me AIDSSH-së.
Pavarësisht kritikave se po përdorej si instrument politik për të sulmuar figura të opozitës, Kuvendi miratoi në tetor 2022 ndryshimin në ligjin e Autoritetit, duke lejuar rihapjen e dosjeve të komisioneve “Mezini”, “Bezhani”, nga verifikimi i së cilëve Meta kishte dalë “i pastër”.
Meta nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN nëse e shihte veten si target politik të këtyre nismave ligjore, që pritet të miratohen së shpejti./ BIRN