Udhëheqësit e Bashkimit Evropian hapën ditën e dytë të bisedimeve për migracionin këtë të premte, teksa Polonia dhe Hungaria vazhdojnë të bllokojnë përparimin e marrëveshjes për të cilën u diskutua edhe para një muaji mes 27 vendeve anëtare.
Përpara takimit, kryeministri i Polonisë kishte këmbëngulur se vendi i tij nuk do të detyrohej të pranonte rregullat e Bashkimit Evropian për migracionin dhe ai u zotua të vërë veton ndaj çdo plani që mund t’i detyrojë vendet të pranojnë refugjatë.
“Një sulm ndaj Evropës është duke u zhvilluar. Kufijtë e Evropës nuk janë të sigurt. Siguria e banorëve të kontinentit tonë është në rrezik”, tha kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki në një deklaratë video. Ai tha se do t’u propozonte udhëheqësve “një plan për kufij të sigurt”.
Polonia dhe Hungaria, së bashku me Republikën Çeke, refuzuan të pranojnë kuotat e migrantëve të vendosura me nxitim në vitin 2015. Gjykata e lartë e BE-së vendosi në vitin 2020 se ata nuk kishin respektuar ligjet e bllokut.
Numri i njerëzve që përpiqen të hyjnë në BE pa autorizim është në rritje. Agjencia e rojes kufitare dhe bregdetare, Frontex, tha se nga janari deri në maj janë bërë më shumë se 50,300 përpjekje. Është më shumë se dyfishi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe më i madhi që nga viti 2017.
Në të njëjtën kohë, Polonia po kujdeset për rreth 1 milion refugjatë nga Ukraina.