Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuar me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkret për de-eskalim të situatës në pjesën veriore.
Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri. Ky plan sipas ambasadorit Hovenier është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo qeveri që të ndërmerr disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.
Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës. “Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.
Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë. “Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha shtetet që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.