Qindra mijëra euro false dyshohet se qarkullojnë në tregun e Kosovës. Ardianë Pajaziti nga Prishtina thotë se është përballur vetë me monedha të tilla. “Duke blerë bukë dhe duke qenë furrë e lagjes… Punëtorja me mirësjellje më ka treguar se paratë janë fals. Monedha ka qenë 2 euro. Kjo përvojë më ka bërë të jem më e kujdesshme se çfarë monedhash pranoj në shërbime të ndryshme”, thotë Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.
“E kupton që monedha metalike 2 euro është false, sepse është më e lehtë, pra dallon trashësia dhe diametri. Imazhi i saj është më i dobët dhe ndonjëherë ka ndonjë shkronjë të deformuar”, thotë bashkëqytetarja e saj, Fjolla Vukshinaj, e cila po ashtu ka hasur në para false.
Praninë e parave false e konfirmojnë edhe aksionet e policisë së Kosovës për konfiskimin e tyre dhe arrestimin e falsifikuesve. Nga janari deri në prill të këtij viti, policia ka iniciuar 363 raste për veprën penale “falsifikim i parasë”. Në një aksion më 13 prill u konfiskuan 10.600 euro false. Të gjitha paratë e konfiskuara ishin monedha prej 2 eurosh. Në një tjetër aksion në dhjetor u konfiskuan 63 mijë euro false. (Lexo KETU shkrimin e plote).