Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka reaguar në lidhje me tensionet në Veri, ku ka deklaruar se kërkesa e ShBA-së dhe BE-së që kryetarët në veri të punojnë në një vend alternativ e jo në zyrat e tyre është e pakuptimtë.
Në një intervistë për Klankosova, këshilltarja Schneeberger tha se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti-demokratike dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin.
“Me këtë pozicionim të paqartë së pari mbështetje, pastaj asnjë mbështetje për zgjedhjet – ata kanë mbështetur bojkotin e udhëhequr nga Vuçiqi. Mbështetja e këtij cirku nga ShBA-ja dhe BE-ja është një gabim i madh dhe është një faktor vendimtar për destabilizimin e situatës. Këtu ka diçka seriozisht që nuk shkon. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti-demokratike e javëve të fundit dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin”, tha ajo.
Më tej, ajo foli edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian më 28 qershor, për të cilat tha se “duhet të tërhiqen menjëherë” dhe se janë “kundërproduktive”, ndërsa kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Schneeberger i quan si të anshëm për Serbinë.
Sipas Schneeberger, arsyeja se pse Kosovës po i bëhet presion i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion të madh mbi Kosovën për t’i dhënë Vuçiçit atë që dëshiron, Asociacionin e tij. ShBA-ja dhe BE-ja nuk po ndihmojnë për të de-përshkallëzuar situatën, por po e përkeqësojnë atë. Ata po braktisin partnerin demokratik dhe po mbështesin agresorin”, tha ajo.