Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur ekstradimin drejt Shqipërisë për 4 shqiptarë nga Greqia, Gjermania, Italia dhe Spanja pasi që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.
Ndërkohë është ekstraduar edhe një shqiptar drejt Spanjës.
Nga shteti fqinj, Greqia është ekstraduar 58-vjeçari, Enver Hysa pasi rezulton i dënuar me 1 vit dhe 4 muaj burg nga Gjykata e Beratit për veprën penale “Dhuna në familje”. Mësohet se ai në 2016 ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre.
Nga Gjermania është ekstraduar shqiptarja e Kosovës, Emine Murriqi e cila rezulton të jetë dënuar me 6 vite burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave’’. Murriqi kishte tentuar në vitin 2016, të kalonte kufirin duke përdoruar dokumente të falsifikuara.
Nga shteti italian është ekstraduar 29-vjeçari me inicialet A. D. pasi rezulton se ndaj tij i është caktuar masa arrest me burg për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Ndërkohë nga Spanja është ekstraduar 33-vjeçari me inicialet F. D., pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” pasi ka plagosur rëndë me armë zjarri të dashurën e tij.
Nga ana tjetër sot është ekstraduar drejt Spanjës shqiptari me inicialet G. P. pasi ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
4 shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për veprime të mëtejshme procedurale.