Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit Albin Kurti.
Në takimin e Kurtit me Goffus, Qeveria e Kosovës tha se kryeministri ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” sa i përket arrestimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor kishte thënë se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.
Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë njëdebati në Parlamentin britanik.
Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”./REL
Artikulli i plotë këtu.









