E enjtja e 6 korrikut do të mbetet gjatë në memorien e politikës shqiptare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi që të takonte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kryetari i kuvendit të Kosovës u shpreh se raportet mes Ramës dhe Kurtit janë lënduar.
Pika që derdhi kupën ishte anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe sulmi i hapur i kreut të qeverisë shqiptare kundër Kurtit për pozicionin që ka mbajtur në raport me SHBA-në dhe BE-së për menaxhimin e situatës në veri.
Rama shkoi larg duke i kujtuar kanunin Albin Kurtit, por ai sërish nuk pranoi që ta takonte. Kryeministri i Shqipërisë nuk e la me kaq dhe mbrëmjen e djeshme i ftuar në Klan Kosova bëri disa batuta “therëse” kundër Kurtit. Por dy prej tyre ishin më të forta.
“As në rininë time nuk i kam shkuar mbrapa një Zhuljete indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim, edhe për takimin e mëparshëm. Për këtë takim se është pjesë e një procesi ku Kosova është aty një nga 6 vendet.
Nuk e konceptoja dot që në raportin që do bëjmë për Berlinin të shkruajmë nga Kosova s’kemi ndonjë material, propozim se s’kemi arritur të kontaktojmë. Më ka ngel hatri, sot ia bëjmë ta lëmë Kosovën”, tha Rama.
Por nuk u mjaftua me kaq. Përpos se e quajti një “Zhuljete indiferente” kishte edhe një tjetër “kunj”. “Nuk kam ardhur këtu të bëj debat me Albinin, se me Albinin debatet i bëj në Whatsapp, unë flas ai dëgjon, por nuk flet.
Ose përsërit të njëjtën përgjigje vazhdimisht. Është njëlloj si t’i shkruash televizorit dhe ai të përgjigjet” tha Rama. Me batuta kaloi momentin, por jo situatën e ngrirë me kryeministrin e Kosovës, i cili i mbylli derën.









