Eksperti i policisë, Fatjon Softa gjatë një interviste për “5Pyetjet.al” i kërkon kryeministrit Edi Rama që të marrë masa të forta për situatën që po ndodh në Krujë dhe Fushë Krujë, që ziente prej kohësh dhe që së fundmi shpërtheu me dhunën barbare të familjes dhe fisit të deputetit Rraja kundër dy kushërinjve Maja për shkak të gurores.
“Po flet për të qenë një lider në hapësirën ballkanike dhe nuk është lider për problemet e brendshme, droga, korrupsioni, policia selektive. Jemi në Krujë, jo në veriun e Kosovës.
Nuk jemi në veriun e Kosovës me grupet kriminale që mbështeten nga Serbia, po këtu nga kush mbështeten, krimi, droga? Herë pas here çon forcat speciale në Krujë, si Kurti që çon forcat speciale në veri” tha ai për “5Pyetjet.al”.
Fisin e deputetit me krahasoi me talebanët në Afganistan. “Kjo ngjarje tregon se pesha politike është e fortë në zonë. Janë njerëz që prodhojnë vota për partinë në pushtet. Fakti që kanë gurore dhe nuk pyesin për shtetin….
Mendo një qytetar që të denoncojnë një vrasje apo një krim apo për të qenë bashkëpunëtor me drejtësinë, kur ai shkon dhe kërkon ndihmë për shtëpinë që po i shembet dhe shteti nuk reagon. Ata janë si kaubojsa.
Nuk ka njerëz të tillë veç talebanëve që shkojnë marrin hunj dhe madje e filmojnë ngjarjen. Kjo është më shumë se një vrasje. Rrahje e tillë!!!!
Nëse nuk do të ketë reagim të fortë nga shteti do të ketë hakmarrje. Një poshtërim të tillë nuk ta fal njeri. Edhe kafsha, qeni nuk rrihet ashtu”.
Zgjidhja sipas tij kalon në 4 hapa dhe kulmon me shkrirjen e komisariatit të Krujës. “E para njëherë policia shkoi pas dy orëve. Dy orë për t’ju përgjigjur qytetarit. Tani mendoni dhe gjykoni sa e kontrollon policia territorin.
Për dy orë ka mbaruar ngjarja dhe ne themi përse nuk kapen autorët. Kjo është dobësi që kërkon një analizë. Nuk di nëse policia tentoi ta fshihte.
Së pari puna duhet të fillojë tek gurorja, a është apo jo me licencë, a ka paguar taksa? Duhet të shkojë krimi ekonomik. E dyta a ka tejkalim? E treta të gjithë personat përgjegjës duhet të shkojnë përpara drejtësisë, pavarësisht emrit apo mbiemrit, në të kundërt ka rënë shteti.
E katërta komisariati i Krujës duhet të shkrihet dhe riorganizohet. Nga shefi deri tek strukturat poshtë, pasi janë dorëzuar ose janë nën presion dhe nuk veprojnë dot” përfundoi Softa për “5Pyetjet.al”.
Barbaria e fisit të deputetit/ Eksperti për “5Pyetjet.al”: 4 hapa, shkrini komisariatin