-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Çfarë kërkon opozita e Tiranës nga Albin Kurti?

Kryesoret

Sido që të arsyetohesh, gjendja politike në Kosovë, e ndoshta pas disa javëve, edhe gjendja ekonomike, nuk është si më parë. Kalimi i qeverisë së saj nga një gjendje në tjetrën, naiviteti foshnjor i drejtueses së Ministrisë së Jashtme, përballja me ngulm me çdo gjë që vjen si mesazh nga Perëndimi, çuditërisht gjen mbështetje nga liderë të opozitës në Tiranë, ashtu si dhe nga mediumet pranë saj.

Analistë të zellshëm, të njohur më shumë si kundërshtarë të vazhdueshëm të kreut të qeverisë së Tiranës, kanë gjetur tani idhullin e tyre të ri, kësaj here në Prishtinë, të cilin, as nuk e duan, as nuk e do e mbështetin në të ardhmen, por që, aktualisht, e shohin si “ dashin” e betejës së tyre, përmes të cilit mund të rrëzohet qeveria e sotme e së majtës.

Çfarë duan këto skalione nga Albin Kurti?

Kurti është njeriu më i votuar sot në Kosovë, dhe, edhe për një kohë tjetër, ai do të jetë i tillë. Mungesa e Thaçit ia ka shtruar rrugën për të qeverisur me shumicën parlamentare, përmes një opozite në Kosovë tejet të dobët, pa ide dhe me mungesë të vazhdueshme të vizionit politik.

Pra, ai, shefi i qeverisë në Prishtinë, edhe pa ngucjen e opozitës së Tiranës mund të vazhdojë të qeverisë, të krijojë probleme dhe tensione, të përdorë kartën e nacionalizmit si askush tjetër, të krijojë armikun e brendshëm dhe më shumë të jashtëm, të rritë dozën e një opinioni kundër vlerave të Perëndimit, të krijojë mitin e rremë se Vetëvendosja është e mjaftueshme për të qeverisur dhe për të mbrojtur kufijtë, të rritë ekonominë dhe të forcojë financat.

Kjo është rruga e tij, që, duke kaluar përmes të drejtës historike, shkel marramendshëm principet e një bote të unifikuar perëndimore, ku vlerat nuk janë vetëm lokale, por edhe përgjithësuese, ku bota e njërit nuk mund të jetojë jashtë apo kundër botës së tjetrit, ku paqja është domosdoshmëri, sidomos pas fitimit të një lufte.

Për të shkuar më tej në rrugëtimin e tij, rreth e rreth qeverisë janë përbashkuar grupe analistësh, shumë prej të cilëve të mbështetur financiarisht nga qeveria, që, përmes rrjeteve sociale apo institucioneve të krijuara në vitet e fundit, mbështetin pa asnjë ekuivok të gjithë çka ndodh, qoftë edhe thënien budallaqe të zonjës Gërvalla, “BE është një tigër prej letre”, ministres së jashtme që deri tani nuk ka sjellë në Kosovë asnjë njohje ndërkombëtare, e afishuar rreptësisht si kundërshtare e luftës çlirimtare, dhe tani ndaj vlerave perëndimore.

Nëse Kurti, si shefi i qeverisë është i një mendje me të, – çka nuk dua të besoj, sepse pastaj marrëzia do të ishte institucionale, – të paktën këto, të quajtur analistë apo me tituj, shumë nga të cilët kanë jetuar gjatë në Perëndim, të thonë një pjesë të së vërtetës.

Pra, Kurti e ka rrugën e tij, askush nuk ia ka imponuar dhe askush nuk mund ta lëvizë, të paktën tani për tani. Që nuk është rrugë e saktë, pavarësisht vrullit nacionalist që ka futur në turrin e njerëzve, këtë edhe ai vetë e di.

Opozita në Shqipëri kërkon si motrën e saj. Kërkon shembullin tjetër. Jo vetëm atë që ka mes vetes, por edhe atë jashtë saj. Një të ngjashëm. Që të mund të ketë krahasimin e përshtatshëm. Për të qenë pjesë e detashmentit të sajuar kundër vlerës së përbashkët evropiane. Për të krijuar “frontin e dytë”, kësaj here në një territor që njihet si Shqipëria Përtej Drinit. Për të krijuar bindjen se, nuk është vetëm shteti shqiptar ku po eskalon një ndjenjë kundër vlerave perëndimore, sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara, por kjo është e ngjashme edhe te të tjerët, ku ende askush nuk është shpallur non grata, e ku, sidomos një i ngjashëm vazhdon të qeverisë përmes shumicës së thjeshtë parlamentare.

Shembulli i shefit të qeverisë në Prishtinë është ai që duhet për ta shpërndarë më tej, se si, edhe duket qenë kundër Shteteve të Bashkuara apo vlerave demokratike mund të qeverisësh, pra të risillen në pushtet humbjet e së djeshmes, dhe, për më tepër, të krijohet kundërvënia që një ditë do e përkulë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

Është interesant një fakt.

Që nga krijimi, opozita e tanishme ka mbajtur qëndrime të cilat kanë qenë ndesh me vlerat dhe të ardhmen e Kosovës.

Në fillimet e saj opozita e tanishme u lidh me emisarë të dërguar nga Beogradi, të cilët, edhe pse shiteshin, si ndodh sot, si nacionalistë të dorës së parë, në fakt ishin ithtarë të nacionalizmit serb dhe dominimin e tij në Kosovë. Figura të rëndësishme të detashmentit politik të Kosovës që vinin nga Lidhja Komuniste e saj , u bënë jo rastësisht të afërt për opozitën, filozofë pranë saj, specialistë në të gjitha fushat, deri në shërbimin informativ të Gazidedes.

Për të shkuar më tej, mjaft nga burimet e para financiare, që në janar të vitit 1991, të dërguara nga selia qendrore e Shërbimit Special Ushtarak Serb, BIA,  arritën në Tiranë, së bashku me mesazhet e duhura për krijimin e një gjendje politike të rëndë, ku shteti do të binte domosdo. Kjo ndodhi.

Ndoshta, pikërisht nga këto takime janë edhe fillesat e bashkëpunimit mes institucionit të Presidentit dhe qeverisë së mbetjes jugosllave, furnizimi me armë dhe karburante i regjimit të Beogradit, edhe pse shteti i cunguar jugosllav ishte në izolim politik dhe financiar.

Në vitin 1996 liderët e opozitës synuan që përmes dy figurave të njohura në Kosovë, njëri nga të cilët ishte Demaçi, të radikalizonin gjendjen në Kosovë, të shpejtonin procesin e përballjes mes shtetit serb dhe rezistencës në Kosovë, për të cilën kishin dijeni dhe nuk e kishin mbështetur asnjëherë.

Kjo solli ndarjen mes Rugovës, që tashmë kishte njohuri të plotë se çfarë kishte pasur synimi i radikalizimit, dhe, nga njëra anë e mënjanoi plotësisht, deri në fund të jetës liderin e Foltores, dhe, nga ana tjetër, në një mbledhje të jashtëzakonshme, largoi nga drejtimi i partisë gjithë figurat e njohura të ardhura nga ish të burgosurit politik, duke prishur edhe urat që mund të ndërtoheshin më lehtë mes forcës politike që ai përfaqësonte dhe UÇK-së.

Kjo ndodhi edhe në fillimin e luftës në Kosovë, përmes grushtit të shtetit të shtatorit 1998, kohë që është e njëjtë me ofensivën e vjeshtës së forcave serbe dhe largimin nga Zona Operative e Dukagjinit e një grupi ushtarakësh, të mbledhur rreth qeverisë Bukoshi, të cilët kishin edhe mbështetjen e liderit të sotëm të Foltores.

Ndodhi edhe në qeverinë e vitit 2005, kur Shqipëria dhe Kosova u gjendën në fazën e largimit të pas luftës, por që ishte e kalueshme, pasi aleancat e krijuara në Kosovë nuk bënin vend për ndërhyrjen e Tiranës.

Nuk ka asnjë rast të veçantë kur ndërhyrjet apo mbështetjet e politikës opozitare në Tiranë, edhe kur ka qenë në pushtet, edhe kur është si tani, të kenë pasur frymëzim politik realist dhe racional në Kosovë, me përjashtim të vrullit nacionalist , që shpërthente gjithherë i mbështetur nga strukturat e LDK-së, shumica e së cilave kishte ardhur direkt nga Lidhja Komuniste e Kosovës.

Po tani? Pse kërkojnë me ngulm që Kurti të vazhdojë në rrugën e tij, pa dhënë, të paktën, një këshillë për vetëpërmbajtje politike dhe diplomatike? Për cilin shkak ata janë në anën e Kurtit dhe nxitin atë të bëjë një lojë, që, është tejet e dëmshme, pikërisht për aspiratat e së ardhmes evropiane të Kosovës?

Duan një shembull! Nuk është kaq e thjeshtë. Ndërsa qeveria Rama kërkon që, përmes supremacisë perëndimore të shfaqet si lidere politike ballkanike, opozita tërheq nga e prapështa, drejt një rruge ku ka hyrë vetë dhe nga e cila kërkon të dalë.

Për Kurtin, ashtu si për opozitën, teza e bartur nga Tirana në Prishtinë, është që mosmarrëveshjet qenkan me të dërguarit e departamentit të Shtetit, por jo me qeverinë. Berisha i paska problemet me Juri Kim, si dikur me zotin Lu, Kurti i ka problemet me të deleguarin Eskobar, por, si cilëson ai, “ me qeverinë amerikane jemi në harmoni të plotë”.

Opozita shtyn drejt përballimit, duke menduar se kjo mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së saj politike. Por, ndryshe nga ajo, ndërsa qeveria e tanishme e Kosovës është ende në pushtet dhe, në rast të zgjedhjeve të parakohshme, do të vazhdojë të jetë, opozita e Tiranës, kështu si është dhe si po ecën, do të jetë gjatë në opozitë, ose do shuhet fare./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit