Duke folur për ngjarjen e rëndë të dhunës së fisit Rraja ndaj dy anëtarëve të një familjeje, që i kishte denoncuar për shpërthimet në gurore, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ftuar në “5 Pyetjet” nga Ilir Babaramo u shpreh se kjo nuk është hera e parë kur kjo familje e veshur me pushtet kryen veprime të tilla kriminale.
Sipas Bardhit, edhe veprimet e policisë ishin joprofesionale, ndërsa reagoi vetëm kur video u bë virale dhe njerëzit dhe opinioni publik u shokuan nga kjo ngjarje e rëndë.
“Nuk është hera e parë që kjo familje e veshur me pushtet kryen të tilla veprime kriminale dhe nuk ka asnjë hetim. Banorët e asaj zone prej ditësh kishin ngritur këtë shqetësim për shpërthimet. Nëse do të kishte drejtësi, do të kishte filluar hetimi nga Ministria e Energjitikës.
Për të vijuar te veprimet e policisë, ngjarja ka ndodhur në datë 6 korrik. Personat e dhunuar janë paraqitur në komisariat dhe kanë pasur vështirësi për dhënien e denoncimit. Njoftimi i parë i gurores kujdesesh për të thënë që familja Rraja ishte në rregull.
Më pas shteti filloi të funksiononte vetëm kur opinioni publik u shokua nga pamjet e asaj videoje. Nëse nuk do të kishte video, asgjë nuk do të kishte ndodhur. Guroret do vijonin shpërthimet dhe shtëpitë do vijonin të prisheshin.
E gjithë çfarë pasoi ishte për të shmangur përgjegjësin kryesor, Edi Ramën, i cili këtë ka makineri të votave. Ata janë zot në zonën e tyre, nuk pyesin as për polici, as për drejtësi. Ta vënë tritolin në mes të ditës.
Një polici që shkon në derë të lokalit dhe i thotë ule zërin e muzikës së na shqetëson banorët, nuk dëgjoka shpërthimet me tritol në mes të ditës. Në çdo bashki ke një familje të kësaj kategorie. Ky nuk është një rast i izoluar.”, deklaroi Bardhi.