Në 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian ka tërhequr vërejtjen se nuk mund të tolerohet mohimi i gjenocidit, revizionizmit të historisë dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.
Kështu u tha në një deklaratë të përbashkët të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Para 28 vjetësh një prej faqeve më të errëta të historisë së Evropës u shkrua. Ne ndajmë ngushëllimin dhe dhimbjen e familjeve dhe miqve të viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në Srebrenicë. Evropa kujton përgjegjësinë e saj dhe dështimin që të mbrojë. Sot, kur lufta po zhvillohet përsëri në kontinentin e Evropës, ne zotohemi që të veprojmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe mbrojmë jetën e njerëzve”, thuhet në deklaratë.
Dy zyrtarët e lartë të BE-së shprehën mbështetjen për aspiratat evropiane të Bosnje e Hercegovinës dhe sovranitetin e saj.
“Në shënimin e përvjetorit të pasojave të konfliktit të armatosur, Bashkimi Evropian përsërit përkushtimin e vet për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës. Si vend kandidat, e ardhmja e Bosnje e Hercegovinës është në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.
Ata bënë thirrje për pajtim dhe ndërtimin e paqes, bazuar në të vërtetën.
Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.
Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid./rel