-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Shfaqja e tiranit të popullarizuar

Kryesoret

Në modelin ekspansionit serb, shqiptari e ka vendin në bodrum si hamall që ushqehet me sardele nga konservat. Këtë e ilustron sjellja dhe veprimet politike të Aleksandër Vuçiçit.

Njëri ndër definicionet më kuptimplota të sundimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi vjen nga prof. dr. Millan Podunavac, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit dhe në Fakultetin e shkencave humane në Podgoricë. Para disa javësh, ai në një intervistë të gjatë, mes tjerash, tha: “Nuk është hera e parë që në historinë politike lind tipi i sundimit siç e kemi sot në Serbi. Shfaqja e ‘tiranëve të popullarizuar’ dhe e njerëzve nga margjinat e shoqërisë të cilët kapin pushtetin, ka shoqëruar historinë politike që nga kohërat më të hershme. (…) Këso lloje sundimesh shfaqen zakonisht në vende në të cilat populli nuk ka vetëdije politike, andaj politika zbret rëndom në luftën e klikave të vogla të cilat luftojnë për pushtet dhe pasuri. Shumica e popullit shkon në ushtri, paguan tatime, kujdeset që mos e kap policia, por në thelb nuk ka punë me jetën politike. Blerja dhe korruptimi i individëve me ndikim zakonisht është mënyra e vetme që i lidh me udhëheqësit. Ky është, pak a shumë, përshkrimi që do t’i përgjigjej Serbisë”.

Çfarë domethënë kjo në raportin e pushtetit serb ndaj Kosovës? Pak a shumë kështu është situata: problemi themelor i Aleksandër Vuçiqit është se – si të gjithë ultranacionalistët dhe huliganët politikë serbë – nuk mund të pajtohet me faktin se ka kaluar koha kur Serbia mund t’i trajtonte shqiptarët si “fis i egër” që shpata e kamxhiku i disiplinon, masakron e dëbon nga vatrat e tyre, ua merr tokat dhe ua djeg shtëpitë. Qysh pati shkruar Vasa Çubrilloviqi në fund të viteve ‘30: kush bëhet merak nëse i shfarosim shqiptarët, kur s’po bëhet askush merak për shfarosjen e hebrenjve. Kjo është edhe mendësia e Vuçiqit, veçse rrethanat gjeostrategjike kanë ndryshuar dhe shqiptarët e Kosovës nuk janë më ata të viteve ‘30. S’janë as ata të viteve ‘60. Janë popull që lirinë e ka fituar me çmim të lartë.

Problemi tjetër i Vuçiqit është se nuk mund të pajtohet me shqiptarin e barabartë, madje edhe më superior ndaj një serbi. Apo serbeje. Sikleti i tij dhe i serbëve të sojit të tij është kulturor. Në racizmin e tij kulturor s’ka vend për shqiptarë të përparuar, të civilizuar, të ditur, me plot vetëbesim dhe plot krenari gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese. Në modelin ekspansionit serb shqiptari e ka vendin në bodrum si hamall që ushqehet me sardele nga konservat.

Krejt tërbimi i Vuçiqit bazohet në mospajtimin e tij se si një popull i shtypur për gati 100 vjet njëherë bashkohet rreth Anton Çettës dhe arrin një pajtim e konsolidim të brendshëm, pastaj rreshtohet pas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, mandej – përkundër të gjitha ngatërresave të brendshme – me luftë çlirimtare arrin të mobilizojë botën perëndimore për t’i dhënë fund sundimit serb në Kosovë. Trauma politike serbe përmblidhet me një fjali: “Qysh na bëri vaki kjo?” A nuk i quante Dobrica Qosiqi shqiptarët “llum social” që ia hodhi “popullit më të kulturuar në Ballkan”? Populli “i kulturuar” që e zgjodhi një udhëheqje politike që organizoi dhe kreu gjenocidin e parë në Europë pas nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ka lloj-lloj kulturash.

Nga vokabulari politik i Vuçiqit jehon dëshira për hakmarrje. Është vokabular cubi që në historinë serbe njihet si “drumski razbojnik”. Versioni modern i “drumski razbojnikut” është paramilitari “urban” nga Beogradi që shkon në BiIjelinë të Bosnjës dhe njerëzit e parë që i vret janë – shqiptarë. Për të vazhduar plojën pastaj më 1998 dhe 1999 në Kosovë. Vuçiq është “fëmijë” i asaj kohe. Mund të jetë bërë ndërkohë njohës i verërave të kuqe (e ndoshta të bardha), mund të mashtrojë ndonjë gazetar perëndimorë apo ndonjë aktivist të etur për “5 minuta famë me një huligan me kostum”, por rrotën e historisë Vuçiqi s’e kthen më pas.

Në kontekstin e marrëdhënieve serbo-shqiptare vërehet një dallim i madh. Politika serbe është krejtësisht e koordinuar mes Aleksandar Vuçiqit në Beograd dhe Millorad Dodikut në Bosnjë. Dodik kalon në parlamentin e republikës së serbëve të Bosnjës një ligj që i zhvlerëson vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e Republika Srpska. Nga Beogradi, Dodik nuk merr asnjë kritikë për këtë hap të rrezikshëm. Dodik mohon gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë dhe krimet e tjera ndaj popullsisë boshnjake dhe nuk kritikohet nga Beogradi, përkundrazi – inkurajohet. Dodik është prej vitesh në listën e zezë të SHBA-së, por për Beogradin kjo nuk është arsye për t’u distancuar prej tij. Dodik gati çdo ditë fyen me fjalor vulgar diplomatët dhe qeveritë perëndimore, e sidomos Ambasadën e SHBA-së në Sarajevë dhe kurrë nuk qortohet nga Beogradi. Dodik kërcënon me referendum për shkëputje të entitetit serb në Bosnjë dhe Beogradi nuk thotë asgjë kundër këtyre planeve, përkundrazi: e përkrah Dodikun, duke proklamuar idenë e “botës serbe”. Ky koordinim i ngushtë mes liderëve serbë të rajonit tregon se synimi mbetet ai që ka qenë në fillim të viteve 90-të: prishja e kufijve dhe krijimi i Serbisë së Madhe. Kjo betejë kriminale e politikës serbe zhvillohet në Bosnjë, në veri të Kosovës, në Mal të Zi (përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe elementëve të tjerë prorusë). Ashpërsimi i tensioneve në Bosnjë bëhet për të kërcënuar bashkësinë ndërkombëtare se Beogradi po kërkon “kompensim” për çdo lëshim në Kosovë.

Politika shqiptare: edhe politika e bajraktarëve shqiptarë të Ballkanit po duket thellësisht e koordinuar – veçse jo mes vete. Nuk është ideja që politikanët shqiptarë si model koordinimi të marrin shembullin e politikanëve serbë. Do të duhej të ekzistonte një koordinim mbi vijat e përgjithshme – një koordinim që merr parasysh interesat e shqiptarëve në rajon si tërësi dhe jo vetëm interesat afatshkurtra të politikanëve që shenjtëri të vetme e kanë ruajtjen e pushtetit./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit