Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë kamikazë në Kiev në orët e para të 11 korrikut, thanë zyrtarët ukrainas.
Ky zhvillim ndodhi pak para fillimit të samitit të NATO-s në Lituani, ku diskutimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus dhe marrëdhënia e saj e ardhshme me Aleancën do të jenë tema kryesore.
Para fillimit të samitit, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden planifikon të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Vilnius, më 12 korrik.
Sulmi i fundit me dronë në Kiev, i dyti këtë muaj, u tha se u zmbraps nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla, sipas vlerësimeve fillestare.
“Të gjitha objektivat ajrore që po lëviznin në drejtim të Kievit u shkatërruan nga forcat tona të mbrojtjes ajrore”, tha kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, Serhiy Popko, në Telegram.
Mbrojtja ajrore ukrainase tha se kishte shkatërruar 26 nga 28 dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të lëshuar nga Rusia.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se mbetjet që ranë nga dronët e shkatërruar shkaktuan dëme të vogla, si xhama të thyer në disa ndërtesa në zonën përreth Kievit.
Në Vilnius, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, njoftoi më 11 korrik se NATO do t’i ofrojë Ukrainës një udhërrëfyes reformash për të lehtësuar anëtarësimin e saj të ardhshëm në aleancë.
Megjithatë, ai sqaroi se ky udhërrëfyes nuk do të përfshijë një afat specifik për pranimin e Ukrainës./REL
Artikulli i plotë këtu.