Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius po pret sot dhe nesër Samitin e NATO-s me aleatët që kanë zhvilluar sistemet më të sofistikuara të armëve për të mbrojtur presidentin amerikan, Joe Biden dhe krerët e tjerë të shteteve.
Siç komenton Reuters, masat janë të shumta pasi vendi ku po zhvillohet takimi është vetëm 32 kilometra larg nga Bjellorusia, aleati i ngushtë i Rusisë.
Gjithsej 16 anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut kanë dërguar rreth një mijë trupa për të siguruar samitin, i cili po mbahet 151 kilometra larg Rusisë.
Përveç kësaj, shumë vende kanë dërguar sisteme ajrore të avancuara që vendet baltike nuk i kanë.
Presidenti i Lituanisë dhe mikpritës i samitit, Gitanas Nauseda u shpreh se është e papërgjegjshme që qiejt të mbeten të pambrojtur, ndërsa Joe Biden dhe liderë nga 40 vende do të jenë në vendin e tyre.
Lituania, Estonia dhe Letonia janë bashkuar NATO-s dhe BE-së që nga viti 2004 duke shpenzuar më shumë se 2% për mbrojtjen.