Në prag të samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë.
Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, në prag të samitit të NATO-s, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
“Fokusi ynë është që të dy palët të zbatojnë atë që kanë premtuar, veçanërisht në Beograd, por edhe në Kosovë”, tha zyrtari duke pasur parasysh planin franko-gjerman dhe dakordimin për të në shkurt dhe mars të këtij viti.
“Hapi tjetër është që të dyja palët të jenë të pranishme në bisedimet e udhëhequra nga BE dhe me pas të negociojnë në mënyrë konstruktive për Asociacionin e Komunave të Kosovës së Veriut,” shtoi ai.
Në fokus kryesor të samitit të NATO-s do të jetë mbështetja për Ukrainën. Por sigurisht që çështja e Kosovës dhe siguria në Ballkan do të jenë temë bisedimesh.
Sanksione edhe ndaj Beogradit
Gjermania e rriti javën e kaluar presionin ndaj Kosovës duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Siç i konfirmoi DW-së ambasada gjermane në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin, bëhet fjalë për tri projekte që ende nuk kanë nisur akoma.
Të gjitha projektet e prekura mund të rifillojnë në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme për shtensionimin e situatës në komunat veriore”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme në përgjigje të pyetjes së DW.
DW e pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Ujdisë së Ohrit.